AKTUALITET, 11 Prill 2019, 17:16

Foto/ Admir Murataj do të varroset në Tropojë, trupi del nga morgu


Admir Murataj, 42-vjeçari që mbeti i vrarë në Rinas është një nga personazhet ndoshta më “tunduesë” të botës së krimit.

Katër grabitje arriti të realizonte Murataj dhe më pas ngeli i vrarë në dalje të rrethimit të aeroportit të Rinasit.

Trupi i tij doli sot nga morgu pas përfundimit të autopsisë dhe familjarët ishin aty për t’a tërhequr e për t’u nisur në Tropojë, aty ku Admir Murataj ka lindur dhe ka familjarë të tij.

Kush ishte Admir Murataj?

Grabitësi më i famshëm shqiptar do të varroset nesër në orën 12:00 në qytetin e tij, ndërkohë që familjarët vazhdojnë të thonë se nuk ishte Admir Murataj organizatori i grabitjes, dhe se nëse shteti nuk gjen fajtorët ata do të bëjnë vetëgjyqësi.

Admir Murataj, mbeti i vrarë 2 ditë më parë kur në aeroportin e Rinasit u grabitën 10 milionë euro, para këto që u morën në pistën e avionit “Austria Airlines”.

Murataj, ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, një vajzë dhe një djalë. Admir Murataj, njihej ndryshe si Admir Nikaj, dhe prej 18 vitesh e ka ndarë jetën mes Shqipërisë dhe Greqisë.