AKTUALITET, 30 Gusht 2018, 13:45

Flet Klodiana Lala për TPZ.AL: Ngjarja ka lidhje me punën time si gazetare

Sulmohet me breshëri automatiku shtëpia e prindërve të gazetares së News24 Klodiana Lala.

Në një prononcim për TPZ.AL Lala është shprehur se ngjarja ka lidhje me punën e saj si gazetare.

Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të sotëm, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të banesës së  babait të saj. Sic duket edhe në foto, plumbat kanë prekur muret e banesës, si edhe kasën e derës së jashtme te saj, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja.

Në castin e të shtënave, në banesë ndodheshin familjarët e gazetares Lala, prindërit e saj, vëllai, motra si edhe dy vajzat e saj ndërsa vetë ajo së bashku me bashkëshortin ishin aty deri në orët e vona të mbrëmjes. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka patur të lënduar. Shtëpia e prindërve është si një shtëpi e dytë për gazetaren Klodiana Lala, pasi në pjesën më të madhe të ditës, prindërit e saj mbajnë vajzat e vogla të gazetares.