AKTUALITET, 7 October 2026, 20:04

Flakët përfshijnë pyje dhe ullishte në Peqin, zjarrfikësit në luftë me zjarrin

Flakët përfshijnë pyje dhe ullishte në Peqin,

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre, pyll dhe ullishte në fshatin Haspiraj të Peqinit.

Zjarri u identifikua në orët e pasdites, ndërsa ekipet zjarrfikëse u angazhuan për rreth tre orë për ta vënë nën kontroll dhe më pas për ta shuar plotësisht.

Prej disa ditësh, zjarret e qëllimshme kanë përfshirë sipërfaqe të tëra në fshatrat e Peqinit, duke shkaktuar dëme në zona me pyje, pemëtari dhe toka bujqësore.

Sezoni i vjeshtës sjell gjithmonë një rritje të rasteve të zjarreve, kryesisht për shkak të djegies së tokave bujqësore nga fermerët. Në shumë raste, flakët dalin jashtë kontrollit dhe përhapen në sipërfaqe të mëdha.

Zjarrfikësja e Peqinit vijon apelin drejtuar qytetarëve për të mos ndezur zjarre dhe për të treguar kujdes gjatë punimeve bujqësore.

Era e fortë e ditëve të fundit ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, duke bërë që zjarret të përfshijnë dhe të djegin hektarë të tërë me pemtari.