AKTUALITET, 26 Korrik 2021, 12:24

Fitore spektakolare e Nora Gjakovës, medalja e dytë e arit për Kosovën në "Tokyo 2020"

Fitore spektakolare e Nora Gjakovës, medalja e dytë e arit për


Nora Gjakova  ka fituar medaljen e artë olimpike, pas  mposhti Sarah Leoine Cysiquen në finale gjatë ditës së sotme, duke i siguruar Kosovës medaljen e tretë të artë olimpike në historinë e saj.

Nora triumfoi ndaj francezes në finalen e kategorisë deri në 57 kilogramë, duke  fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Triumfi i 28-vjeçares nënkupton se Kosova tashmë ka fituar  dy medalje të arta në Tokio 2020 dhe tri të arta në historinë e saj në Lojërat Olimpike, që të trija në xhudo.

Është një histori olimpike për sportin kosovar që po shkruhet nga sportistet e reja dhe mjaft premtuese, sepse pas medaljes së parë olimpike në historinë e Kosovës të fituar nga Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike Rio 2016, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i ndoqën hapat e saj në Japoni.

Pas një fillimi të vrullshëm dhe një lufte të ashpër, Nora e hodhi në dysheme francezen. Pas ankesave të rivales franceze dhe teksa po përgatitej për ta rinisur luftën gjyqtari e ndëshkoi atë me karton të kuq dhe kjo nënkuptoi fitore për kosovaren.

Për të arritur deri këtu, ajo e kaloi raundin  e parë pa luftë, para se t’i mposhte me lehtësi Sanne Verhagen në raundin e dytë, sllovenen Kaja Kajzer në çerekfinale dhe Tsukasa Joshidan në gjysmëfinale.

Triumfi ndaj japonezes në gjysmëfinale ishte më i vështiri dhe i veçantë , pasi Joshida e kishte mposhtur Norën në katër përballjet e kaluara.

28-vjeçarja e përsëriti suksesin e Majlinda Kelmendit në Rio 2016 dhe të Distria Krasniqit në këto lojëra duke e fituar medaljen e artë olimpike.

Kjo do të thotë tri medalje të arta olimpike për Kosovën në historinë e saj dhe të trija në xhudo.

Ndërkohë, paraprakisht, Akil Gjakova, vëllai i Norës, humbi në luftë për medaljen e bronztë.

Kosovës i ka mbetur edhe një xhudiste në garë për medalje në Tokio 2020, Loriana Kuka, e cila garon të enjten në kategorinë 78 kilogramë.

[gallery ids="549258,549259,549260,549261,549262,549263,549264,549265,549266,549267,549268,549269"]