TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pasardhësi i Saimir Tahirit në krye të ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafaj, i njohur edhe si njeriu që doli i pari kundër Tahirit në PS dhe qeveri dhe pranoi kanabizimin e Shqipërisë, mbështet hapur qendrimin e ndërkombëtarëve se vendimi i gjykatës për t’a dënuar Tahirin ishte i duhuri. Kjo është bërë hapur në një reagim zyrtar që ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman, ka bërë sot në Twitter, ku përshëndeste dënimin e Tahirit për “shpërdorim detyre”.
Xhafaj e ka aprovuar këtë në Twitter duke bërë “like”, një gjest i rrallë ky nga ish-ministri më hermetik i rrjeteve sociale dhe prononcimeve publike.
Postimi i Duncan Norman
Ky është një lloj “kthimi kusuri” nga ana e Xhafajt për Tahirin, pas thumbit që ish-ministri i bëri dje në gjykatë, kur tha se “unë po gjykohem se kam shitur një makinë, ndërsa ka ministra që s’mbajnë përgjegjësi për vëllezërit e tyre trafikant droge”, referuar këtu skandalit “Babale” që zbuloi se vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, ishte i dënuar me 8 vite burg në Itali për trafik droge.
Pas më shumë se 13 orësh përfundoi dje “Gjyqi i vitit”, ai për Saimir Tahirin. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin 5 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 1/3 dhe zbret në 3 vite e 4 muaj burg e sipas Kodit Penal konvertohet në shërbim prove. Për këtë vendim ai u shpreh se ishte qesharak. Pas seancës, ai ftoi gazetarët për të zhvilluar një takim, që pritet të zhvillohet ditën e sotme.