AKTUALITET, 13 Qershor 2021, 23:05

Fatbardh Kadilli: Gara në PD ishte e pabarabartë, i takon Bashës ta mbajë partinë të bashkuar

Fatbardh Kadilli: Gara në PD ishte e pabarabartë, i takon Bashës

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli shprehet se pas zgjedhjeve brenda partisë i takon Lulzim Bashës, jo vetëm ta mbajë partinë të bashkuar por ta çojë atë në fitore. Ndërsa e cilësoi garën si të “pa barabartë”, z. Kadilli theksoi se 3 javë për të bërë fushatë ishte një kohë e pamjaftueshme. Ai foli për përdorim të aseteve partiake nga z. Basha si dhe për thyerje të rregullave nga drejtuesit e tjerë të partisë pasi tha se janë përfshirë hapur në fushatë.

“Kjo garë nisi e pa barabartë dhe përfundoi e pabarabartë. Kishte pamundësi për secilin nga kandidatët për të garuar me kryetarin prej 8 vitesh. E gjithë trupa e PD u përfshi hapur në fushatë kundër etikës dhe udhëzimeve që nxori partia. Po jap vetëm një tregues të thjesht, faqet e degëve të PD publikonin vetëm takimet e Lulzim Bashës sa që dukej e çuditshme që çfarë kërkon (Basha) rreth e qark Shqipërisë. Kishte të gjitha aparatin e partisë në funksion, vetëm fotografë kishte me vete katër persona. Atëherë pse duhet të themi se Rama tregon u pa barabartë në garë duke përdorur burime shtetërore?”, deklaroi z. Kadilli për Euronews Albania.

Ai tha se shifrat e reja për anëtarësinë tregojnë se nga 106 mijë anëtarë, PD ka zbritur sot në 76 mijë anëtarë dhe sipas tij përgjegjësia për tkurrjen i takon kryetarit të partisë. Z. Kadilli tha se shumë persona që kanë qenë anëtarë të PD, sot nuk e gjejnë më emrin në listë.

Pavarësisht se nuk siguroi vota për të qenë kryetar i PD, z. Kadilli tha se do ta vazhdojë projektin e tij për reformimin e PD duke shtuar se “thelbi i manifestit është që partia është më e madhe se sa kryetari”.

“Betejën për demokratizimin e partisë do ta vazhdoj, por jo në organizim paralele Do të komunikoj me demokratët rrugët janë të pafundme. Jam i vendosur t’i shkoj deri në fund këtij projekti dhe besoj se do ta rigjej forcën po të rikthehet te origjina e saj”, tha ai.

“Pas këtij momenti kësaj i takon të përgjigjet kryetarit të partisë pasi me meritë pa meritë është ai që zotëron partinë. I takon atij të mbajë përgjegjësitë për të mbajtur partinë të bashkuar por për të arritur fitoren”, përfundoi z. Kadilli.