TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shqipëria renditet ende si një vend ku papunësia është në nivele të larta në raport me vendet e tjera Europës, por edhe ata që punojnë, në shumicën e tyre, marrin paga minimale. Në vitin 2018, Shqipëria ishte e para ndër vendet europiane që kishte më shumë se 23% të totalit të të punësuarve që marrin pagë të ulët, sipas përllogaritjes së Eurostat. Instituti Europian i Statistikës konsideron me pagë të ulët, ata që fitojnë më pak se dy të tretat e pagës mesatare bruto në muaj. Në vendet e BE-së më 2018 u përllogarit se 15.3% e të punësuarve kishin pagat të ulëta, ndërsa në Shqipëri, kjo kategori është 8 pikë përqindje më e lartë.
Në kategoritë e pagave të ulëta përfshihen kryesisht gratë dhe peronat me arsim të ulët. Kjo është njëlloj e vlefshme si për Shqipërinë, ashtu edhe Europën. Numri më i madh i punonjësve me pagë të ulët ndodhet në Shqipëri dhe në vendet baltike, në të kundërt, pjesa më e vogël e punonjësve me pagë të ulët është në Suedi dhe në vendet nordike. Përqindja e punonjësve me pagë të ulët ndryshon ndjeshëm midis vendeve anëtare në 2018. Numri më i madh u vu re në Shqipëri me 23.02%, Letoni (23.5%), ndjekur nga Lituania (22.3%), Estonia (22.0%), Polonia (21.9%) dhe Bullgaria (21.4%).
Në të kundërt, më pak se 10% e të punësuarve kishin pagë të ulët në Suedi (3.6%), Portugali (4.0%), Finlandë (5.0%), Itali (8.5%), Francë (8.6%) dhe Danimarkë (8.7%) . Sa i përket shpërndarjes sipas grupmoshës, personat me paga të ulëta përbënin më shumë se një të katërtën (26.3%) të punonjësve të moshës më pak se 30 vjeç. Sa më i ulët të jetë niveli i arsimimit të një personi, aq më të larta janë gjasat për të përfituar një pagë e ulët. Më shumë se një e katërta (27.1%) e të punësuarve në BE me nivel të ulët arsimimi ishin me pagë të ulët. Përqindja e punonjësve me pagë të ulët nis e zvogëlohet me rritjen e nivelit arsimor, teksa shihet se pagat e ulëta përfitoheshin vetëm nga 4.6% e të punësuarve me arsim të lartë.
Pjesa më e madhe e personave me pagë të ulët punojnë në sektorin e ushqimit dhe akomodimit. Në vitin 2018, përqindja e personave me pagë të ulët të regjistruar në BE ishte më e larta 39.0% në aktivitetet, “Akomodimi dhe veprimtaritë e shërbimit ushqimor”, e ndjekur nga 33.3% nga “Aktivitetet e shërbimit administrativ dhe mbështetës”. Sipas të dhënave kombëtare nga INSTAT, personat me pagë deri në 300 mijë lekë përbënin 38.7% të të punësuarve gjithsej në tremujorin e tretë, nga 37.1% në tremujorin e dytë. /Monitor/