AKTUALITET, 27 Gusht 2020, 18:27

EMRI/ Detaje tronditëse, si u rrëzua me sharrën elektrike në dorë punonjësi i Bashkisë në Berat, pamje nga vendngjarja

EMRI/ Detaje tronditëse, si u rrëzua me sharrën elektrike në


Detaje të reja zbardhen nga ngjarja tragjike e ndodhur këtë pasdite në qytetin e Beratit, ku humbi jetën punonjësi i Drejtorisë së Bujqësisë pranë bashkisë.

Gazetarja Eneida Petova sjell në redaksinë e BalkanWeb” pamje nga vendngjarja, ndërsa raporton ka ndërruar jetë punonjësi 46-vjeçar Shkëlqim Metkaj.

46-vjeçari ka qenë duke punuar me kolegët e tij që prej mëngjesit, për prerjen e një peme shekullore në qytet, pasi ishte anuar dhe rrezikonte të binte në rrugën kryesore. Ai ka qenë me sharrën elektrike në dorë, duke prerë degët, në momentin kur është rrëzuar.

46-vjeçari ka dashur të vendosë këmbën në shkallën elektrike, por ka humbur kontrollin dhe ka rënë në pjesën e poshtme të bregut të lumit Osum. Ndërkohë, sharra elektrike i është shkëputur nga dora dhe ka rënë në drejtim të kundërt, në mes të rrugës kryesore, duke rrezikuar edhe njerëzit apo automjetet që qarkullonin në këtë aks.

Puna për prerjen e pemës kishte nisur që herët në mëngjes dhe gjatë gjithë ditës qarkullimi ka qenë një kaos i vërtetë, sepse lëvizej vetëm me një sens.