AKTUALITET, 26 Shkurt 2020, 22:24

Eksperti i OBSH: Kina po e lufton koronavirusin me sukses, por vendet e varfëra janë në rrezik, kanë sisteme shëndetësore të brishta

Eksperti i OBSH: Kina po e lufton koronavirusin me sukses, por vendet e

Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bruce Aylward, i cili është në krye të misionit të përbashkët OBSH-Kinë, për luftën ndaj koronavirusit, ka deklaruar se bota nuk është aspak e përgatitur për këtë virus dhe pasojat e tij.

Eksperti deklaroi se Kina e ka menaxhuar me sukses situatën dhe ky sukses i Kinës, ka bërë që shumë vende të krijojnë perceptime të gabuara dhe një ndjenjë sigurie false, ndaj këtij virusi.

"Vendet duhet të jenë gati ta menaxhojnë këtë në një shkallë të madhe dhe duhet bërë shpejt. Kina e di se si t'i mbajë gjallë njerëzit nga COVID. Nuk do të jetë kështu me të gjitha vendet e botës... Është një sëmundje serioze", deklaroi eksperti.

Sipas Aylward, e gjithë përpjekja titanike e Kinës, u ka dhënë vendeve të tjera një "siguri false", duke bërë që ato të mos marrin masat e nevojshme dhe të mos planifikojnë mjaftushëm.

"Sa vende po planifikojnë shtretërit në spitale, ventilimin, kapacitetin e laboratorëve, për të menaxhuar këtë? Duhet të ketë një ndryshim në mendësi. Duhet planifikim"

Eksperti i OBSH-së, e përgëzoi Kinën për masat që ka marrë; karantinimin e qyteteve, ndalimin e udhëtimeve dhe ngritjen e një spitali thuajse me "shpejtësinë e dritës".

Virusi vdekjeprurës ka mbërritur edhe në Itali ku deri tani kanë ndërruar jetë 11 persona. Kjo ka krijuar mjaft panik edhe në Shqipëri. Autoritetet kanë siguruar se në vendin tonë nuk ka një rast të konfirmuar dhe se janë marrë të gjitha masat për të përballuar përhapjen e mundshme të virusit.

Por, ekzistojnë pikëpyetje lidhur me aftësinë e sistemit shëndetësor për ta përballuar një epidemi të mundshme, ashtu siç është përballuar në Kinë, ku u ndërtua një spital për 10 ditë. Vetë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i ka shtuar këto pikëpyetje, duke refuzuar për ditë me rradhë, të tregojë për publikun, se ku ndodhet spitali i zgjedhur si karantinë.

Vetëm ditën e sotme, kryeministri Rama ka zbuluar vendodhjen e karantinës.

Daily Mail raporton se eksperti i OBSH, Aylward, ka deklaruar se  janë pikërisht vendet e varfra me sisteme shëndetësore të brishta, të cilat janë më tepër të rrezikuara.

Koronavirusi u shfaq fillimisht në Wuhan të Kinës dhe deri tani ka marrë jetën e 2700 personave dhe ka infektuar 80 mijë të tjerë. Ky virus është përhapur në vende të ndryshme të botës dhe jemi në prag të një pandemie, pra të një  infektimi në shkallë globale, ku virusi shfaqet në  të gjithë kontinentet.

/TPZ.al/

VIDEO: