TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rivaliteti mes dy udhëtarëve të përjetshëm të botës, këtë fundiviti, mbërriti kulmin.
Blendi Fevziu dhe Sokol Balla, u lëshuan në dy vende të ndryshme gati ekzotike, për të mundur dhe për të vendosur poshtë vetes njëri tjetrin.
Fevziu u nis drejt botës arabe, duke u ndalur në hotelin luksoz "The Palm Jumeirah", në Dubai, ndërsa Sokol Balla duke iu përgjigjur flakë për flakë Fevziut, shkoi në hotelin po kaq luksoz "Shangri-La", në Tailandë. Edhe pse distanca mes tyre është thuajse 4800 km, të dy vendet i plotësonin kushtet maksimale për garë të ndershme dhe transparente.
Meqenëse hotelet ishin në nivel gati të barabartë, Fevziu në fillim u duk se kaloi në epërsi për faktin se në Dubai, kishin shkuar edhe dy nga VIP-eshat më të njohura të showbizit albanez, Marina dhe Luana Vjollca. Ky fakt, e kaloi Fevziun përkohësisht, katër pikë para, por pas konsultimit që Komisioni ad hoc bëri, pesë orë përpara mbërritjes së Vitit të Ri, duket që pikët e Fevziut u refuzuan sepse, sipas Komisionit, Tailanda është e mbushur e gjitha, kokë e këmbë me VIP-esha, nga më të çmuarat dhe më të pashmet në botë, që gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore dhe jo themelore të njeriut.
Pika më e nxehtë, ku dy rivalët u përpoqën ta vendosnin sa më poshtë njëri tjetrin, ishte përfshirja në garë, e një reptili dhe një shpendi, respektivisht një gjarpri dhe një papagalli shkretëtire.
I pari që e nisi këtë duel ishte Fevziu. Shërbëtorët e hotelit luksoz, i veshën moderatorit tonë, një dorezë të trashë, sa një peliçe, për ta mbrojtur nga bakteriet dhe mbi këtë dorezë Fevziut i vendosën një papagall shkretëtire. Pas këtij veprimi, ai hapi krahun e djathtë dhe pozoi. Gjatë pozimit, papagalli i shkretëtirës dhe Fevziu vështruan për një kohë të gjatë njëri tjetrin, sy më sy. Fevziu, gjatë kësaj kohe, i tha papagallit të shkretëtirës me zë të lartë, plot 21 fjalë, kundër sistemit autoritar në Shqipëri dhe në Dubai. Papagalli i shkretëtirës, u habit shumë nga disidenca e fortë e Fevziut, që nuk i kishte ndodhur kurrë me ndonjë turist tjetër dhe nga frika, përsëriti me zë të ulët vetëm dhjetë nga këto fjalë, të cilat nuk e dëmtonin regjimin.
Përpara se shërbëtorët t'ia merrnin papagallin e shkretëtirës nga dora, moderatori ynë i njohur, afroi gojën tek veshi i shpendit dhe tha tre herë, togfjalëshin: "Tirana e Nonës, Tirana e Nonës, Tirana e Nonës".
Këto fjalë të thëna me intensitet të lartë, e çorientuan aq shumë papagallin e shkretëtirës, sa ai fluturoi nga dora e Fevziut dhe pa pyetur fare shërbëtorët e hotelit, që e kishin nën kontroll, filloi të endej rreth e qark Dubait, duke bërtitur "Tirana e Nonës, Tirana e Nonës, Tirana e Nonës". Kaq shpejt i shpërndau papagalli i shkretëtirës këto fjalë, saqë edhe dy VIP-eshat Marina dhe Luana Vjollca, u habitën shumë nga kjo famë e Fevziut dhe librit të tij.
Dy ditë pasi Fevziu kreu aktin me papagallin e shkretëtirës, Sokol Balla iu përgjigj dhëmb për dhëmb, duke marrë me qira një gjarpër të rëndë 15 kilogram, me një të verdhë të pullëzuar, i njohur si Pitoni Burmez dhe e vari rreth qafës dhe krahëve të tij të shkruar dhe me ornamente disa ngjyrëshe.
Edhe pse gjarpri piton, në qafën dhe krahët e Ballës, të jepte ndjesinë e tmerrit, kryetari i Komisionit ad hoc, Remzi Lani, nga njohuritë e thella që i trashëgon për shkak të, lëvizjeve të panumërta, që ka bërë rreth e qark globit e kapi menjëherë hilen. Pronarët e Pitonit të verdhë burmez, ia kishin hequr gjarprit helmin dhe e përdornin vetëm për foto për turistët parallinj, të dashuruar me rrjetet sociale.
Kjo ishte edhe arsyeja, që Fevziu me papagallin e shkretëtirës dhe gjithë vijësjelljen e tij, kaloi në klasifikim pesë pikë para Sokol Ballës.
Ky ishte një nga kalimet e rralla të Fevziut në epërsi, jo vetëm me aftësinë e tij si udhëtar i botës, por këtë herë edhe si shkrimtar.
Për më shumë informacion, rreth dy gjigandëve tanë rivalë, shihni fotot e mëposhtme!
/TPZ.al/Tej e këtej/