AKTUALITET, 15 Tetor 2020, 15:38

Edi Rama hap "fuqishëm" partinë pas tetë vitesh: Ejani të bëheni deputetë, prezantohuni me video!

Edi Rama hap "fuqishëm" partinë pas tetë vitesh: Ejani

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet aktualisht në vitin e fundit të qeverisjes tetë vjeçare, ka vendosur të hapë fuqishëm Partinë Socialiste, me rastin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Siç ndodh me partitë politike shqiptare, që hapen tej mase për të gjithë, disa muaj para zgjedhjeve edhe Rama u ka bërë thirrje të rinjve, që të shprehin interesin e tyre për t'u bërë deputetë të PS-së.

Përzgjedhja e deputetëve të rinj do të bëhet me anë të prezantimeve me video.

“Dua t’iu them të gjithëve që mund të jenë të reja dhe të rinj, që sapo kanë mbaruar shkollën me rezultatet të mira, që punojnë në shtet, në fermë, apo në emigracion, që janë të mirëseardhur të shprehin interesin e tyre, gra dhe burra që vijnë nga eksperiencat si mësuese, mësues, shërbëtorë publikë, ekspertë në çfarëdolloj fushe, që punojnë në hapësirën e sipërmarrjes që punojnë në media, kudoqoftë, në fermë.

Që e përkthejnë aktivistin e tyre në audienca në rrjete sociale. Cilido që ka pasionin tonë për të kaluar nga fjalët në vepra”, tha kreu i qeverisë Rama.

Rama u bëri thirrje edhe emigrantëve shqiptarë nëpër botë, të shprehin interesin për t'u bërë deputetë, duke xhiruar një video, ku shpjegojnë përse mund të bëhen pjesë e PS dhe çfarë mund të sjellin në PS.

"Mirëpresim ata që janë në emigracion, që mendojnë se kanë diçka që mund të ofrojnë. Objektivi është të kemi në çdo skuadër, dikë që të përfaqësojë energjinë, freskinë, dëshirën e atyre që janë në emigracion".

/TPZ.al/

VIDEO: