AKTUALITET, 13 Gusht 2019, 17:46

E zvarritën dhe e përplasën në tokë, policia për të riun në Durrës: Ishte i dehur

E zvarritën dhe e përplasën në tokë, policia për

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka reaguar pas publikimit të një videoje ku disa efektivë shfaqeshin duke arrestuar me dhunë një person.

Në një deklaratë për mediat, policia thekson se i riu me inicialet S.M., ka kundërshtuar forcat policore dhe nuk ka pranuar t’i ushtrohet kontrollit të kërkuar nga efektivët.

Më tej në deklaratë theksohet se në asnjë moment nuk është ushtruar dhunë ndaj të arrestuarit, pavarësisht se ai ishte i armatosur.

Bashkë me të riun, pollicia shpjegon se është arrestuar edhe një tjetër person me inicialet R.T., (pasagjer në mjet) për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale ku paraqitet një shtetas, i cili është shoqëruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Policisë, në zbatim të detyrave funksionale kanë ndaluar shtetasin S.M., për të kryer verifikim të dokumentacionit të mjetit.

Shtetasi i mësipërm nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të treguar dokumentacionin e mjetit, por i ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme.

Edhe pasagjeri në mjet, shtetasi R.T., ka kundërshtuar punonjësit e policisë për t’i ardhur në ndihmë drejtuesit të mjetit me qëllim që drejtuesi i mjetit të mos kryente testin e alkoolit dhe të shmangte verifikimin e dokumentacionit të mjetit.

Në vijim të dy shtetasit janë shoqëruar forcërisht në ambientet e Komisariatit të Policisë, pa ushtruar në asnjë moment dhunë fizike ndaj tyre.

Drejtuesit të mjetit i është bërë testi i alkoolit nga punonjësit e qarkullimit rrugor dhe u konstatua se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit 0.38 mg/l.

Konform procedurave ligjore shtetasi S.M., (drejtuesi i mjetit) është proceduar për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe i është pezulluar leja e drejtimit.

Gjithashtu edhe shtetasi R.T., (pasagjer në mjet) është proceduar për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik “.

Policia e Durrësit është e angazhuar në zbatim të ligjit me qëllim, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për të krijuar një ambient shoqëror sa më të sigurtë dhe fton cilindo që konstaton abuzim me detyrën nga ana e punonjësve të policisë që të telefonojë në numrin 112, apo në numrin 0800 90 90 , si dhe të dërgojë imazhe në Komisariatin Dixhital, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm.

Një ditë më parë u publikua një video e dërguar në redaksinë e JOQ, ku shfaqej momenti i arrestimit të një personi. Në pamje shihet se si një nga efektivët i rrethon qafën me krah të riut dhe e zbret zvarrë nga automjeti. Motivet nuk qartësoheshin.