BALLKAN, 9 Maj 2019, 18:43

E quajti “budalla” para Mogherinit/ Haradinaj nuk i mban inat Ramës: Ai është vëllai im

E quajti “budalla” para Mogherinit/ Haradinaj nuk i mban inat


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj duket se nuk i ka marrë aspak për keq, fyerjet e homologut Edi Rama, i cili e quajti “budalla”.

Ditën e djeshme, gjatë një konference për shtyp, i pyetur lidhur me pretendimet e Haradinajt se Rama bashkë me presidentin Hashim Thaçi ngulën këmbë për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, kryeministri u përgjigj me tone tallëse.

“Budallain sa pa dalë Facebook e njihte vetëm shtëpia e vet’ dhe e dyta ‘nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme.”

Por mesa duket, Haradinaj nuk i mban “inat” homologut të tij duke e cilësuar sërish si vëllain e tij.

“Edi Rama është vëllai im. Të vërtetën do ta them gjithmonë, kam thënë të vërtetën për atë që ka ndodhur në Samitin e Berlinit”, është shprehur Haradinaj.

Madje, sipas mediave vendase Haradinaj është shprehur se Samiti i Berlinit ka qenë një takim jashtëzakonisht i suksesshëm, pasi që dialogu i është marrë Mogherinit nga duart, dhe i ka kaluar Angela Merkelit dhe Emanuel Macron.

Po çfarë ndodhi në Berlin?

Më 30 prill 2019, Kryeministri Ramush Haradinaj, në një intervistë për televizionin T7, tha se si presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë bërë presion më shumë se Vuçiçi në sy të të gjithëve në Berlin për ta hequr taksën. Ai tha se ata madje kanë folur në gjuhën angleze dhe gjuhë tjera me qëllim që deklarata të kuptohej nga Merkel dhe Macron. Rama i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.