TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Diversitet i madh, diversitet i madh! – bërtiste e çmendura N e kryeqytetit, dje rreth orës një në mesditë, përgjatë bulevardit “Stalin”.
Pasi u mërzit duke bërtitur, më shumë se një orë, këtë togfjalësh, e çmendura hyri në hanin perandorak “Rogner”.
Në mes të hollit, ajo u përball me avokatin shumë të njohur dhe shumë të ditur, Spartak Ngjela.
- Ç’janë këto fjalë, që po thua nëpër rrugë o e çmendur?! – pyeti avokati. Ç’është ky diversitet i madh, tani që këtu ka ardhur edhe FBI-ja?! Ç’është kjo ulërimë në këtë kohë krishtlindjesh, ku politikanët e lartë nuk dinë ku të futen?
- Ç’të të them dhe ç’të të tregoj o avokat vëllai, o njeri i ndritur! Sapo jam kthyer nga Tailanda. Diversitet i madh, botë tjetër avokat. Liri e madhe, liri pa kushte. Ti duheshe në atë vend vëlla. Të jesh President atje, ta drejtosh atë vend, vetëm ti dhe FBI-ja, ta drejtoni. Ç’të të them o avokat vëllai, atje seksi ishte si puthja këtu, liri e madhe, diversitet i madh! Të gjitha gjërat e ndryshme, ekzistonin atje o njeri i ndritur. Mund të martoheshe sot dhe të ndaheshe neser. Ç’të të them o avokat, mbi 50 propozime kisha edhe vetë...
- Ç’propozime o e çmendur?! – pyeti avokati
- Për martesë o avokat. Atje do të të kishte ecur fati edhe ty…
- Ç’thua o e çmendur, martesa është një institucion banal. Ç’punë kam unë me këtë institucion?! Po nejse vazhdo, ke gjë tjetër për të thënë?
- Po ja, meqenëse u takuam avokat, a mund të zhvillojmë një intervistë të shkurtër?
- Vetëm pesë minuta o e çmendur, se kam një takim me amerikanët.
- Pyetja e parë avokat. A erdhi FBI dhe ku është strehuar?
- Erdhi e çmendur, erdhi. Po mos më kërko mua të them ku është strehuar, nuk jam roje nate unë! Nga informacionet që kam, nga Departamenti i Shtetit, por edhe nga Treasure Department, edhe nga informacioni i LU-së, hetuesit ndërkombëtarë erdhën. Të gjithë erdhën.
Shihni si janë trembur dhe tmerruar krerët vjedhës në Shqipëri o e çmendur. Shihni fytyrën e Sali Berishës, skuq e tëra! I takova hetuesit ndërkombëtarë. Nga hetimi intensiv i pasurive dhe fakteve që janë mbledhur, janë tridhjetë, qeveritarët më të rëndësishëm, të dhjetë viteve të fundit, që do të arrestohen.
- Aferim avokat i ndritur, aferim! Fjala jote në vesh të perëndisë… Po kush janë këta tridhjetë, o njeri i ndritur? Mos vallë gabimisht na kanë futur edhe ne të dy në listën e arrestimeve?
- Nuk je as unë as ti, nuk bie rrufeja në hale o e çmendur.
- Mos po e teprojmë shumë me këto që po themi, avokat i ndritur?! Se mos ndoshta kthehet prapë diktatura dhe ty të kthejnë në burg dhe mua në çmendinë?
- Ne të dyve na rruajnë lesht o e çmendur. Ata s’dinë ku të fusin kokën e tyre. A nuk e sheh si po flasin përçart qeveritarët shqiptarë? A e ke parë si po nxjerrin përkrahësit injorantë, që ti kundërvihen ambasadorit amerikan dhe ambasadoreshës shumë të nderuar Vlahutin? A e ke pare, Edi Ramën, që kërkon të zbojë frikën nga vetja, me brekushe otomane?
Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i vjedhur nga krerët dhe një vend i shitur te fqinjët, po prej tyre, por edhe një vend i shpëtuar nga rasti o e çmendur.
Të katërt shtetet që kemi përreth, janë ngritur mbi territore shqiptare dhe mbi genocidin për shfarosjen e shqiptarëve. Këtu ka filluar historikisht vjedhja e shqiptarëve, nga krerët e tyre. Ishte madje ambasadorja e BE-së Vlahutin…
- Si s’të zgjodhën ty prokuror o avokat?
- Si mund te jem unë një prokuror i përkohshëm o e çmendur? Fondamenti im në këtë botë…
E çmendura N, i’u vodh avokatit me kujdes dhe iku pa u ndjerë… Në vrap e sipër veshi i kapi këto copa fjalësh: “Procesi i tyre në paraqitjen e së vërtetës… Vlahutin… Këtu po shitet atdheu… Një qeverisje e pamoralshme, në historinë e moralitetit qeverisës…”
- Pupupu, po ky paska rojitur më shumë se unë, - tha e çmendura dhe e tmerruar kaloi pragun e Rognerit me vrap, pa e kthyer kokën mbrapa.
/TPZ.AL/