AKTUALITET, 12 October 2026, 11:51

"Dua parashkrim"/ I dënuar për tri vrasje, Sokol Hoxha kërkon shuarjen e dënimit në Gjykatën e Fierit! 51-vjeçari u ekstradua nga SHBA

"Dua parashkrim"/ I dënuar për tri vrasje, Sokol Hoxha

Sokol Hoxha, 51-vjeçari i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka mbërritur këtë të hënë në Gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për parashkrimin e dënimit penal.

Hoxha, i dënuar për vrasjen e tre personave, kërkon që të përfitojë nga mekanizmi ligjor i parashkrimit të dënimit, me argumentin se kanë kaluar 26 vite pa u ekzekutuar vendimi i dhënë ndaj tij nga Gjykata e Fierit.

51-vjeçari nga Patosi është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Ndërkohë, ndaj tij është dhënë edhe një dënim me burgim të përjetshëm nga drejtësia belge për vrasjen e Brunilda Dervishit.

Sokol Hoxha u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin maj, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, Belgjikës dhe SHBA-së.

Ai u ekstradua drejt Shqipërisë më 6 gusht dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh burg, të dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000.

Megjithatë, pas ekstradimit, 51-vjeçari ka kërkuar shuarjen e dënimit penal përmes parashkrimit, duke pretenduar se ka kaluar afati ligjor për ekzekutimin e tij.

Seanca e mëparshme, e zhvilluar një javë më parë, u shty për t’i kërkuar informacion Gjykatës së Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit për çështjen.

"Dua parashkrim"/ I dënuar për tri vrasje, Sokol Hoxha