AKTUALITET, 20 Prill 2020, 16:29

Drafti, Qeveria do t’i kërkojë Parlamentit zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor

Qeveria kërkon të zgjatë gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor të këtij viti. Kryeministri Edi Rama pritet t’i drejtohet Parlamentit për të miratuar zgjatjen e gjendjes aktuale me masat shtrënguese për shkak të situatës me Covid19. Edhe në komunikimin e sotëm interesimit të qytetarëve, Rama iu përgjigj se do të ketë zgjatje të afatit të gjendjes të fatkeqësisë natyrore. Qeveria me 24 mars shpalli për një muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të situatës të krijuar nga koronavirusi. https://www.monitor.al/covid-19-shpallet-gjendja-e-fatkeqesise-natyrore-ne-gjithe-shqiperine/

“Referuar neneve 100 dhe 174, pika 2, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “d”, të nenit 18, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që të propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr.243, datë 24.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, deri në datën 23.6.2020”, përcaktohet në draftin e e qeverisë.

Zgjatja e afatit të gjendjes të fatkeqësisë natyrore pritet të sjellë reagime të faktorëve të politikës dhe biznesit, sidomos nga sektori i turizmit ku përkon me kulmin e zhvillimit të kësaj industrie. Kujtojmë se për shkak të mbylljes të bizneseve dhe rënies të kapaciteteve prodhuese nga 50% deri në 70% të pjesës dërmuese të kompanive prodhuese numri i të papunëve do të rritet deri në 60 mijë, sipas studimeve dhe shifrave të Ministrisë të Financave./Monitor.al/