BALLKAN, 30 Maj 2021, 18:05

Dokumenti pas darkës në Bruksel të liderve të Ballkanit Perëndimor, BE: Është i falsifikuar, diçka e tillë nuk u prodhua nga ne

Dokumenti pas darkës në Bruksel të liderve të Ballkanit


Bashkimi Evropian ka mohuar që të ketë shkruar një dokument që ka qarkulluar në mediat kosovare ditën e djeshme, në të cilën thuhej se përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell i ka kërkuar Kurtit që të mos përfshihet në veriun e Kosovës. Këtë gjë e ka mohuar vetë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një prononcim për Klankosova. Ai ka thënë se ai dokument është i falsifikuar dhe se diçka e tillë nuk është prodhuar asnjëherë nga BE-ja.

“Zakonisht nuk i komentojmë raportet e mediave në lidhje me dokumentet e pretenduara të BE-së, në këtë rast të veçantë “dokumenti” është një falsifikim i plotë dhe diçka e tillë nuk u prodhua kurrë nga BE”, ka thënë Stano.

Por çfarë thuhej në atë dokument? 

Në dokumentin që u bë ditën e djeshme publik, thuhej se Kurti kishte mbështetur vazhdimin e mandatit të Misionit të EULEX-it në Prishtinë, dhe se Borrell kishte përshëndetur raportet e Kurtit me Gjykatën Speciale. Në të gjithashtu shkruhej se, i kërkohej Kurtit nga BE-ja që policia e Kosovës, të mos operonte kurrë në veri të vendit.