AKTUALITET, 4 Korrik 2018, 15:41

Dokumentet/ Tonelata mish i infektuar nga Brazili, AKU fsheh porositësit në Shqipëri

Dokumentet/ Tonelata mish i infektuar nga Brazili, AKU fsheh porositësit

Historia e bllokimit të mishit me salmonelë nga Brazili u përsërit dje për të disatën herë. Ministria e Bujqësisë njoftoi se janë bllokuar, “dy kontenierë me mish, të importuara nga Brazili, në total 50.2 tonë mish, pasi nga analizimi i mostrave u konstatuan me prezencë ‘salmonella’”.

Sipas njoftimit të Bujqësisë, vetëm gjatë këtij viti: “Janë bllokuar e kthyer në origjinë edhe 5 kontenierë të tjerë, me 130 tonë mish. Numri total i ngarkesave të importuara nga Brazili gjatë kësaj periudhe të vitit është 195 kontenierë”. Edhe sikur të ishin hekur kontrabandë, kjo do të përbënte një kambanë alarmi.

Por, po flasim për mish të infektuar, që rrezikon të gjithë ushqimin e popullatës. Ajo që e bën më shqetësues situatën, është neglizhenca, paaftësia apo mbrojtja që AKU dhe drejtuesi i saj, Agim Ismaili, u bën bizneseve që sjellin mish të infektuar në Shqipëri.

Ato jo vetëm që s’po rrallohen, por sipas njoftimeve të Ministrisë së Bujqësisë, duket se po shtohen. Pas bllokimit të ngarkesës me mish me salmonelë nga Brazili, gazeta iu drejtua me një kërkesë të dyja institucioneve, Ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Me shkresën që mban datën 28 maj, të dyja institucionet protokolluan 5 pyetje nga gazeta. Pyetjet ishin të thjeshta dhe me interes për publikun. Meqë bëhet fjalë për ushqime, dhe me një rrezik helmimi masiv, gazeta kërkoi nga të dyja institucionet:

1. Sa është sasia e mishit dhe nënprodukteve të tij, të importuara nga Brazili gjatë vitit 2015, 2016, 2017 dhe pjesës së parë të vitit 2018?

2. Për çfarë përdoret mishi dhe nënproduktet e tij në Shqipëri. (Shitet i papërpunuar apo i përpunuar)?

3. Ju njoftoni për 5 ngarkesa të bllokuara, cilat janë bizneset porositëse të këtyre ngarkesave?

4. Cili është biznesi apo bizneset porositëse të sasisë së fundit, prej 78.1 tonëve, të zbuluara me salmonelë?

5. A ka ndonjë ndryshim të akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë importin e mishit nga vendet e Amerikës Latine, apo Brazilit?.

Sipas ligjit “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT”, institucionet duhet që brenda 10 ditëve të kthejnë përgjigje për informacionin e kërkuar. Neni 15 i ligjit parashikon se “Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj”. Gazeta mori një përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, më datë 6 qershor, ku i thuhej se kërkesa e saj, (edhe pse gazeta i kishte dërguar në të njëjtën ditë, të njëjtën shkresë edhe AKUsë), i është përcjellë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Edhe pse një përgjigje pa përgjigje, sërish Ministria e Bujqësisë, iu përmbajt afatit ligjor.

Ndërsa AKU, dhe personalisht drejtuesi i saj, Agim Ismaili, nuk preferon të përgjigjet. Duke e ditur se si funksionin shteti shqiptar, gazeta e kontaktoi të mërkurën e kaluar, më datë 26 qershor, drejtorin e AKUsë, i cili tha se do të kthente përgjigje të hënën, pra, më datë 2 korrik, më shumë se një muaj me vonesë. Por edhe e hëna kaloi dhe sërish Ismaili nuk e zbaton ligjin. Arsyet përse Ismaili nuk kthen përgjigje, kur institucionet eprore të tij e respektojnë ligjin, duken qartë në pyetjet që kërkon gazeta.

Mbrojtja e bizneseve që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve për të maksimizuar fitimet e veta me mish me salmonelë, sigurisht që nuk i shërben publikut. Fitimet e mëdha të kësaj industrie, ndoshta janë më joshëse sesa interesi publik. Por ndërsa kjo mund të jetë zgjedhje personale e Ismailit, si drejtues i AKU-së ai po shkel një ligj të qeverisë, që e ka vendosur aty. “Në çdo rast, mostrajtimi i kërkesës për informim brenda afateve të sipërpërmendura do të konsiderohet refuzim”, thuhet në nenin 15 të ligjit. Nga ana tjetër, ligji, të cilin shkel kreu i AKU-së, ka edhe sanksione.

Në nenin 18 parashikohet se “Veprimet dhe mosveprimet, në përputhje me këtë ligj dhe për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë: a) refuzimi i dhënies së informacionit, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, dënohet me 150000 deri në 300000 lekë”. Por, mesa duket, nuk janë problem kaq para për kreun e AKU-së. Sidoqoftë, gazeta mbetet sërish, me durim, në pritje të përgjigjes për pyetjet e saj./Panorama/