SPORT, 26 July 2026, 18:50

“Diçka nuk shkon këtu, nuk po e besoj këtë histori”, gazetari ngre dyshime për fitoren me rikthim të Joshuas

Anthony Joshua ka regjistruar fitore ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, në një përballje që pati një skenar të jashtëzakonshëm dhe që ka nxitur reagime të shumta në botën e boksit.

Joshua u rikthye në ring pas një pauze shtatëmujore, por fillimi i duelit ishte një makth për ish-kampionin botëror. Boksieri shqiptar e befasoi që në sekondat e para, duke e rrëzuar Joshuan pas vetëm 20 sekondash luftë.

Situata u bë edhe më dramatike në fund të raundit të parë, kur Prenga arriti ta dërgonte përsëri në tokë britanikun. Pas dy rrëzimeve brenda një raundi, shumëkush nisi të dyshonte nëse Joshua do të arrinte të rikthehej dhe ta përfundonte duelin.

Një ndryshim i madh nga raundi i parë në të dytin

Por raundi i dytë solli një kthesë të jashtëzakonshme. Joshua u rikthye krejtësisht ndryshe në ring, duke marrë kontrollin e përballjes dhe duke e vendosur Prengën nën presion të vazhdueshëm.

Britaniku lëshoi një seri goditjesh të fuqishme, e detyroi kundërshtarin të tërhiqej drejt litarëve dhe më pas e rrëzoi, duke e mbyllur duelin me nokaut.

Kjo fitore ishte veçanërisht e rëndësishme për Joshuan, pasi i siguroi atij një tjetër mundësi të madhe financiare në karrierë – përballjen e shumëpritur me Tyson Fury.

Pas fitores së Furyt ndaj Mariusz Wach një ditë më parë, rruga u hap që dy yjet britanikë të peshave të rënda të përballen më në fund në një duel që pritet të jetë ndër më fitimprurësit në historinë e boksit.

Gazetari Simon Jordan ngre dyshime për përmbysjen e Joshuas

Megjithatë, mënyra se si ndryshoi performanca e Joshuas nga një raund në tjetrin ka ngritur pikëpyetje. Komentatori dhe prezantuesi i njohur i talkSPORT, Simon Jordan, ka shprehur publikisht dyshimet e tij për atë që ndodhi në ring.

Jordan nuk e ka kritikuar rezultatin zyrtar, por ka vënë në dyshim ndryshimin drastik të paraqitjes së Joshuas brenda pak minutash.

“Nuk e besoj këtë histori... diçka nuk shkon këtu”, ka shkruar Jordan në rrjetet sociale.

Ai më pas shtoi: “Rrëzohesh dy herë dhe më pas fillon të diktosh ritmin e ndeshjes? Si është e mundur? Raundi i dytë ishte një ndeshje krejtësisht tjetër. Diçka nuk shkon, gjithçka duket sikur është ndërtuar për të nxjerrë maksimumin financiar nga përballja Joshua-Fury”.

Statistikat tregojnë ndryshimin e madh mes dy raundeve

Edhe statistikat e përballjes tregojnë një kontrast të madh mes raundit të parë dhe atij të dytë.

Në raundin e parë, Joshua pati një paraqitje të dobët në aspektin ofensiv. Ai realizoi vetëm 5 goditje nga 22 tentativa, ndërsa Prenga ishte shumë më efikas, duke gjetur objektivin 15 herë nga 32 goditje të provuara.

Në raundin e dytë, situata ndryshoi plotësisht. Joshua arriti të realizojë 13 goditje nga 46 tentativa, ndërsa Prenga uli ndjeshëm ritmin, duke regjistruar vetëm 3 goditje nga 17 përpjekje.

Ky ndryshim i madh në vetëm një raund ka bërë që shumë tifozë dhe analistë të diskutojnë mbi atë që ndodhi në ring.

Pavarësisht polemikave, rezultati zyrtar mbetet në favor të Anthony Joshuas, i cili tashmë shikon drejt sfidës së madhe me Tyson Furyn – një duel që pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha të boksit në vitet e fundit.