AKTUALITET, 13 Shtator 2018, 16:55

"Lamtumirë Shqipëri!", dhurata surprizë e Kryemadhit për ambasadorin amerikan Donald Lu

Ai qëndroi për 4 vite me radhë me mision në Tiranë, ndërsa tashmë i ka mbaruar mandati. Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu është pritur sot një takim lamtumire nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Gjatë takimit, që thuhet se ishte mjaft miqësor, Kryemadhi falënderoi Ambasadorin Lu dhe SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

"Prita sot në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një takim lamtumire, Ambasadorin në ikje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Donald Lu. Një takim i ngrohtë e miqësor, për të falenderuar ambasadorin Lu dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e vështirë të konsolidimit të demokracisë në Shqipëri", shkruan Kryemadhi.

Mes të tjerash Kryemadhi suprizoi ambasadorin me një dhuratë simbolike, një jelek me motive popullore. Kujtojmë se sot Doland Lu u prit në një takim edhe nga presidenti Ilir Meta.