TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Qeveria po përpiqet të negociojë dhe të sjellë një marrëveshje që do t’u shërbejë të dyja vendeve”. Kështu është shprehur Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm grek, i thirrur në interpelancë nga ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakoyannis, për çështjen e negociatave të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Marrëveshja e re ka të bëjë me 9% të sipërfaqes së detit midis Greqisë dhe Shqipërisë. 1.190 kilometra katrorë i përkasin palës greke nëse zgjeron me 12 milje zonën bregdetare, 1.220 kilometra katrorë i përkasin palës shqiptare, e cila tashmë e ka zgjeruar zonën e saj detare me 12 milje, ndërsa mbetet një pjesë rreth 9% e zonës detare për t’u negociuar.
Ajo që duhet të zbulojmë është nëse ka çështje të tjera teknike që duhen zgjidhur”, – u shpreh Nikos Kotzias.
Ndërsa nga ana e saj, Dora Bakoyannis, tha: “Marrëveshja e vitit 2009 është bërë në bazë të vijës së mesme në totalin e përcaktimit të kufirit detar, duke dhënë edhe ndikimin e plotë në këtë përcaktim të ishujve grekë.
Qeveria juaj ka synim të ndjekë parimin e së drejtës të gjykimit në vend të vijës së mesme? E mendoni se me këtë lloj gjykimi mund të krijohen precedentë negativë, që nuk do të shërbenin në negociatat e ardhshme për zona të tjera detare të vendit?”.
Gjithashtu, ish-ministrja e Jashtme greke ka kërkuar listën e negociatorëve, si dhe një kontekst të marrëveshjes, duke e akuzuar atë për negociata të fshehta me Tiranën.
Nga ana e tij, Kotzias ka bërë me dije se 8 prej 10 personave që përbëjnë grupin negociues janë pjesëtarë të administratës, një është personalitet në fushën e së Drejtës dhe një tjetër në fushën e hartave, duke theksuar se nuk ka asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij.
Ai ka sqaruar se Greqia nuk po shkon në negociata për të humbur 100% të ndikimit në delimitim nga ishujt pranë Korfuzit, siç ka bërë qeveria “Karamanlis” e vitit 1977, kur në marrëveshjen me palën italiane kanë rënë dakord për një vijë detare që ndikohej në masën 70% nga ishulli Othonoi.
Gjithashtu, ai ka akuzuar konservatorët se, jo vetëm nuk miratuan në Parlament marrëveshjen e vitit 2009, por filluan të kryejnë pa rezultat edhe negociata të fshehta me palën shqiptare në vitin 2014.