AKTUALITET, 19 Dhjetor 2019, 09:52

DETAJE/ Kush janë 18 gjyqtarët e SPAK, çfarë vendosi KLGJ-ja

DETAJE/ Kush janë 18 gjyqtarët e SPAK, çfarë vendosi


Këshilli i Lartë Gjyqësor ngriti në detyrë 12 gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe 6 të Gjykatës së Apelit, duke i bërë ata gjyqtarë të posaçëm.

Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të fillojnë punën sot, ndërsa zyrtarisht, dy gjykatat e Krimeve të Rënda do të shkrihen.

“Dje, më datë 18.12.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës, në të cilën miratoi vendimin për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe disa vendimeve të tjera individuale për sistemimin në pozicion të gjyqtarëve të Gjykatave për Krimet e Rënda, të cilat nga dita e nesërme pushojnë së funksionuari si të tilla”, njoftoi dje KLGJ-ja.

Më tej, Këshilli, në kushtet e pushimit së funksionuari të Gjykatave për Krimet e Rënda, vendosi transferimin e gjashtë gjyqtarëve, konkretisht Fehmi Petku, Gjovalin Përnoca, Gurali Brahimllari, Idriz Mulkurti,

Dhurata Haveri (të Gjykatës së Apelit) dhe Luan Hasneziri (i Gjykatës së Shkallës së Parë), pranë disa Gjykatave të Apelit apo të Shkallës së Parë me juridiksion të përgjithshëm, duke filluar nga data 19.12.2019 dhe deri në përfundimin për ata të procesit të rivlerësimit kalimtar përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku në rast të konfirmimit në detyrë nga ky i fundit,

gjyqtarët e transferuar gëzojnë të drejtën e zgjedhjes për t’u transferuar në çdo pozicion që do të jetë i lirë në atë moment apo që pritet të bëhet i lirë brenda gjashtë muajve, respektivisht në Gjykatat e Apelit apo të Shkallës së Parë me juridiksionin të përgjithshëm.

Në përfundim, po për shkak të pushimit të funksionimit të Gjykatave për Krimet e Rënda, Këshilli vendosi edhe transferimin e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, z. Dritan Hallunaj, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, detyrë, ushtrimin e së cilës e fillon pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë të Tiranës.

GJYQTARET E POSAÇEM

GJYKATA E APELIT

Albana Boksi

Nertina Kosova

Saida Dollani

Dhimitër Lara;

Sokol Binaj

Nure Dreni

GJYKATA E SHKALLËS SË PARË

Daniela Shirka

Etleva Dede

Flora Haredinaj

Ilirjana Olldashi

Irena Gjokaj

Marsela Balili

Miliana Muçaj

Ardit Mustafaj

Bib Ndreca

Fran Prendi

Klodian Kurushi

Sandër Simoni.