AKTUALITET, 13 Shkurt 2019, 08:59

DETAJE/ Importi i makinave, tregtarët kërkesë ministres: Shtyni afatin e targimit

DETAJE/ Importi i makinave, tregtarët kërkesë ministres: Shtyni

Tregtarët e makinave të vjetra i kërkuan dje ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, të shtyjnë afatin e regjistrimit të makinave, që nuk janë me standardin “euro 5”.

Bëhet fjalë për rreth 60 mijë makina të vjetra, që janë importuar në vend dhe kanë afat deri në 1 mars të targohen. Pra, bëhet fjalë për makinat e vjetra që kanë hyrë në vend për tregtim, por të cilat nuk përmbushin kriterin ligjor të përcaktuar në vendimin e qeverisë për ndotjen.

Makinat tashmë të importuara nga tregtarët janë të standardit “euro 1”, “euro2” , dhe “euro 3”, për të cilat afati i vendosjes së targës është deri më muajin mars. Ky shqetësim i kostos së lartë të targimit të makinave pa u shitur, u ngrit nga tregtarët në një dëgjesë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Për këtë arsye, ata kërkuan zgjatjen e afatit për kryerjen e procedurave të nevojshme për regjistrimin e tyre. Ministrja Balluku premtoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës do të shqyrtojë me kujdes gjithë problematikën e krijuar si dhe kërkesat e paraqitura nga grupet e interesit, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme si për tregtarët e automjeteve ashtu edhe për mos ndotjen e mjedisit.

“Kjo është një dëgjesë për të përmirësuar një fushë, në të cilën disi ju janë prekur interesat tuaja dhe ne do gjejmë një rrugë të mesme, sa më të mirë për të qenë konform kërkesave dhe ligjeve që kanë të bëjnë me mjedisin, por nga ana tjetër pa ju prishur edhe juve bizneset, në të cilat keni investuar”, është shprehur Balluku.

Po ashtu, në dëgjesën me ministren Balluku, tregtarët e makinave të vjetra u ankuan edhe për cilësinë e naftës, ku sipas tyre në shumë raste bllokojnë automjetin. Ankesë tjetër e tregtarëve ishte ajo e limitimit të importit. Sipas tyre, këto masa nuk janë kaq drastike as në vende si Gjermania apo Italia, të cilat nuk e ndalojnë importin e makinave “euro 4”.