AKTUALITET, 14 Janar 2020, 22:37

Del kontrata/ Endrit Dokle do të punojë në një kompani nën sekuestro

Një nga argumentet e vendimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha për të liruar nga burgu Endrit Doklen ishte dhe se ai kishte siguruar një kontratë pune.

Sipas ABC News, kontrata e Dokles është lidhur me kompaninë “Mateo Konstruksion sh.p.k” më 26 tetor 2019, kohë kur ai vuante dënimin burgun e Fushe-Krujës.

“Une administratori i shoqerisë, Agim Cako deklaroj se pas vuajtjes se denimit prej shtetasit Endrit Dokle do ta punesoj prane shoqerise “Mateo construction shpk” me detyrë punëtor ndërtimi. Kontrata është për 1 vit dhe paga 350 mijë lek në muaj”, – thuhet në kontratë.

Por ajo që bie në sy nga të dhënat e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Bizneseve është se ajo ka një sekuestro konservative aktive që mban datën 30 prill 2019. Në urdhrin e përmbaruesit Euglent Osmanaj thuhet se “Mateo Konstroksion” është debitore ndaj subjektit “Ndue Gjelaj” dhe nuk i është përgjigjur kërkesës për shlyerjen e detyrimeve brenda afatit. Për këtë arsye ai i ka dërguar QKB-së urdhrin për vendosjen e sekuestros ndaj kompanisë deri në një vendim të dytë.

Vendimi i dytë nuk rezulton të jetë dhënë akoma. Kjo do të thotë se gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha ka marrë për bazë kontratën e një të dënuari me burgim të përjetshëm me një kompani nën sekuestro.

Endrit Dokle, anëtar i bandës së Durrësit dhe i dënuar më parë me burgim të përjetshëm, është liruar nga burgu.

Përveç burgimit të përjetshëm si anëtar i bandës së Durrësit, ku akuzohej për dhjetëra vrasje, plagosje dhe krime të tjera, Dokle ishte dënuar edhe me 16 vite të tjera heqje lirie për shkak se drejtonte trafikun e drogës nga burgu. /Opinion.al