AKTUALITET, 19 Shtator 2018, 21:28

Deklaratë e fortë e SHBA-ve: Thaçi dhe Vuçiç kanë mbështetjen tonë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, tha se presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi, e kanë ndihmën e Amerikës në kërkim të një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjeve, porse SHBA mbështetet në zgjuarsinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Mogherini është ndërmjetësuese e dialogut midis Thaçit dhe Vuçiçit.

Scott, në një konferencë në Beograd për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, tha se ekzistojnë“tri çështje kritike në rajon”: dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe mbajtja e Bosnje dhe Hercegovinës shtet.

“Lajm i mirë është se këto probleme nuk janë të pazgjidhshme. Shohim guxim te liderët e Maqedonisë dhe Greqisë. Përparimi në Bosnje nuk është aq i shpejtë. Në Beograd shohim lëvizje të reja sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve (me Kosovën). Shpresojmë se zgjidhja e pranueshme dhe e qëndrueshme do të gjendet shpejt”, – tha Scott, cituar nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Thaçi dhe Vuçiç kanë shpalosur së voni idenë e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Mogherini ka thënë se çdo zgjidhje është e pranueshme përderisa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott