LIFESTYLE, 30 Prill 2019, 00:21

Debati i bamirësisë për Taramelen/ Olti Curri ironizon Alketën


Përplasja verbale e Alketa Vejsiu dhe opinionistit Olti Curri lidhur me iniciativën e ndërmarrë nga moderatorja për të ndihmuar vogëlushin Xhejson Bafti, protagonistin e emisionit “Në Kurthin e Piter Pan” (i njohur ndryshe si Taramelja), duket se nuk ka të ndalur.

Dy ditë më parë, Olti u shpreh ndër të tjera përmes një postimi në “Insta Story” se produksioni i “Në Kurthin e Piter Pan” nuk duhet ta shndërrojë Xhejsonin në një lypës. Sot, Alketa zgjodhi që t’i kundërpërgjigjej opinionistit me një shprehje të shkrimtarit Oscar Wilde: “Asnjë vepër e mirë s’mund të kalojë pa u ndëshkuar”.

Mirëpo Olti ka zgjedhur të reagojë sërish me ironinë që e karakterizon. “Ouuu paska shkuar muhabeti deri te Oscar Wilde. Epo meqë shkoi puna me citate filozofike, nami u bëftë”-ka shkruar ai në “Insta Story”, teksa ka regjistruar kontrollin e tij në Google për shprehje të një djali të ri, Elhaid Cufit, i cili është bërë mjaft popullor nëpër rrjete sociale.