AKTUALITET, 25 Tetor 2020, 10:34

“Burri me Covid, gruaja jo”, mjeku shpjegon misterin shkencor. Rikthimi i karantinës? Sallabanda: Dështim i qeverive

“Burri me Covid, gruaja jo”, mjeku shpjegon misterin shkencor.


Mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda, thotë se qeveritë dështuan për të marrë masa për përballimin e pandemisë së koronavirusit për sezonin vjeshtë-dimër.

Mjeku shpjegoi gjatë një interviste për “Ora News” se virusi varet nga karakteristikat gjenetike të çdo personi.

Sallabanda: Në një familje me katër veta një mund të jetë infektuar dhe tre jo. Kjo do të thotë se struktura gjenetike e tre pjesëtarëve të familjes është ndryshe nga ai person që është infektuar.

Ka qenë shumë e çuditshme që kemi pasur burrin të infektuar dhe gruan jo dhe anasjelltas. Megjithëse nuk është vërtetuar, grupi i gjakut zero ka më pak mundësi për tu infektuar.

Sa i takon detyrimit për të mbajtur maskën kudo dhe kostos financiare të saj, ai thotë se duhet një politikë proaktive në mbrojtje të qytetarëve, ndërkohë që karantinën e cilësoi si dështim.

Sallabanda: Qeveritë dhe shtetet duhet të subvencionojnë blerjen e maskave. Izolimi i njerëzve, karantina, është heqja e të drejtës kushtetuese të një qytetari.

Për mua si mjek, karantina është dështim i politikave qeveritare. Kishin katër muaj kohë që qeveritë të merrnin masa për të bërë testime masive, kontrolle masive, për të bërë gjurmimin e sëmundjes dhe nuk e bënë. Njerëzit kanë filluar të protestojnë sepse janë të lodhur me këtë situatë.