SPORT, 28 Nëntor 2020, 14:43

Brozovic sërish pozitiv, humb transfertën me Sassuolon

Brozovic sërish pozitiv, humb transfertën me Sassuolon

Interi humb sërish shërbimet e mesfushorit kroat Marselo Brozovic, pasi në tamponin e fundit ka rezultuar lehtësisht pozitiv dhe klubi e ka izoluar menjëherë nga skuadra, për të mos rrezikuar infektimin e futbollistëve të tjerë.

Mesfushori kroat ishte infektuar gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e tij dhe prej disa ditësh qëndronte i izoluar, por të enjten rezultoi negativ dhe iu bashkua skuadrën në stërvitje, duke u vënë në dispozicion të Contes për transfertën ndaj Sassuolos.

Megjithatë tamponët e fundit konfirmuan se koronavirusi vijon të jetë prezent në organizmin e kroatit, i cili tashmë do të kthehet në Milano dhe do të kryejë përsëri testimin, për t’u rikuperuar për sfidën e të martës ndaj Borussia M’gladbach.

Përveç Brozovic, Conte do të duhet të bëjë edhe me mungesat e Nainggolan e Vecino në mesfushë, teksa drejt Sassuolos pritet që të zbresin nga minuta e parë sërish treshja që ishin titullarë edhe ndaj Realit, Vidal-Barella-Gagliardini, ndërsa Sensi dhe Eriksen pritet ta nisin nga pankina.