TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dy zyrtarë të lartë të administratës Trump vizituan sot vendin e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, ndërsa aleati i ngushtë i Uashingtonit, Izraeli, përballet me një protestë ndërkombëtare për urinë e përhapur në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.
I dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee vizituan një vend të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i cili mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Huckabee ndau foto të vizitës në X, duke e quajtur punën e GHF-së “të pabesueshme”.
“Ne morëm informacione nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe folëm me njerëzit në terren”, shkroi ai.
Huckabee tha se qëllimi i vizitës në Gazë me Witkoff ishte për të “mësuar të vërtetën” rreth situatës humanitare – pas 21 muajsh lufte.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt njoftoi dje në mbrëmje se dy zyrtarët do ta shfrytëzonin vizitën për të ndihmuar në “sigurimin e një plani për të shpërndarë më shumë ushqim” në Gazë.
Me ndihmën e kontraktorëve amerikanë, GHF shpërndan ndihma humanitare përmes kanaleve që anashkalojnë agjencitë e OKB-së, të cilat prej kohësh kanë luajtur një rol kryesor në shpërndarjen e ushqimit, barnave dhe furnizimeve për palestinezët.
Ka raportime të shpeshta për palestinezë të uritur që vriten ndërsa përpiqen të kenë akses në ushqim në vendet e shpërndarjes së GHF-së.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të hënën se në Gazë po ndodhte “uri e vërtetë”.
Izraeli ka kufizuar ndjeshëm shpërndarjen e ndihmës për muaj të tërë, duke lejuar pak ose aspak akses humanitar në territorin bregdetar, megjithëse kufizimet e tij janë lehtësuar ditët e fundit.