BOTA, 21 Qershor 2022, 15:53

Zgjedhjet në Francë/ Macron refuzon dorëheqjen e kryeministres: Duhet të qëndrojë në detyrë

Zgjedhjet në Francë/ Macron refuzon dorëheqjen e kryeministres:

Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar dorëheqjejen e kryeministres që ai emëroi, duke thënë në vend të kësaj se qeveria duhet “të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë”.

Elisabeth Borne u vendos në qendër të kritikave pasi koalicioni i Macron dështoi të siguronte një shumicë në zgjedhjet parlamentare.

Zhvillimet vijnë të martën në një kohë kur Presidenti francez pret në Pallatin Elysee kundështarët e tij politikë, lideren e ekstremit të djathtë Marine Le Pen dhe opozitarë të tjerë, teksa kërkon një zgjidhje për situatën e paprecedentë që rrezikon ta zhysë mandatin e tij të dytë në krizë dy muaj pasi fitoi zgjedhjet.

Por as e djathta ekstreme e Marine Le Pen dhe as aleanca e Jean-Luc Mélenchon, nuk janë të pritur të bashkëpunojnë me qeverinë e Macron, e cila është 44 vende larg shumicës dhe po përpiqet dëshpërimisht të shmangë paralizën politike.

Pallati Élysée njoftoi se Borne ofroi zyrtarisht të jepte dorëheqjen të martën në mëngjes, duke i dorëzuar një letër kreut të shtetit, Macron, i cili e hodhi poshtë atë.

Ai refuzoi ofertën në mënyrë që qeveria të mund të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë”, tha pallati Élysée, duke shtuar se ai do të kërkojë një zgjidhje konstruktive për t’i dhënë fund bllokimit që kërcënon axhendën e tij gjatë mandatit të tij të dytë.

Është e zakonshme që kryeministri francez të ofrojë dorëhëqjen pas zgjedhjeve parlamentare. Shpesh Presidenti i vendit thjesht riemëron të njëjtin person në mënyrë që të mund të fillojë krijimin e qeverisë së re.

Por situata është ndryshe këtë herë, pasi Macron i ka kërkuar Borne të qëndrojë në detyrë me të njëjtin kabinet pa dhënë dorëheqjen.

Sipas analistëve “kjo është ndoshta një përpjekje për të fituar kohë”, raporton BBC, “në një moment, do të formohet një qeveri e re, e cila mund të ketë ose jo Borne në krye të saj”.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partive do të takohen Pallatin Elysee për bisedime të nivelit të lartë të martën dhe të mërkurën.

Analistët thonë se presidenti mund të shikojë një marrëveshje me republikanët e krahut të djathtë.

Partia konfirmoi se udhëheqësi i saj, Christian Jacob, do të merrte pjesë në bisedime.

Por perspektivat për një marrëveshje u zbehën në prag të bisedimeve, pasi Jacob ‘goditi’ Macron në një intervistë për radio France Inter.

“Është ai që është treguar arrogant dhe tani kërkon ndihmë”, tha Jacob.