BOTA, 8 Nëntor 2022, 18:06

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, Donald Trump parashikon ‘natë shumë të madhe’ për republikanët, ja apeli i tij për votuesit

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, Donald Trump parashikon ‘natë

Balanca e pushtetit në Kongresin amerikan do të përcaktohet të martën, ndërsa votuesit shkojnë drejt qendrave të votimit për të vendosur nëse demokratët do të vazhdojnë të mbajnë shumicën në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, duke mbështetur politikat e presidentit Biden, ose duke e zhvendosur pushtetin tek republikanët.

Ish-presidenti Donald Trump është parë në Palm Beach, Florida, së bashku me gruan e tij Melania Trump.

Duke ndaluar për të folur me gazetarët, ai tha se priste një “natë shumë të madhe” për republikanët dhe se do të ishte “shumë emocionuese për ta parë”.

I pyetur për mesazhin e tij për votuesit e pavendosur, ai tha: “Duhet të vendosni, duhet të dilni të votoni”.

Ai shtoi: “Këto do të jenë një zgjedhje shumë e rëndësishme dhe shpresojmë se do të ndodhë gjëja e duhur.”

Sa i përket asaj ku do të fokusohen republikanët, ai tha se çështjet kryesore do të jenë krimi dhe mbajtja e taksave të ulëta.

Por ai vazhdoi të mos komentonte nëse do të shpallte një fushatë presidenciale në 2024, pavarësisht ngacmimeve të vazhdueshme se do të kandidonte përsëri.

Trump ka qenë në ballë të fushatës së mesmandatit të republikanëve dhe një fitore për ta do të shihej si një fitore për Trumpizmin – duke e bërë një rikthim për ish-presidentin gjithnjë e më të mundshëm.