TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenca e Bashkimit Evropian ka bërë thirrje që një gjykatë ndërkombëtare të hetojë pushtimin rus të Ukrainës.
Thirrja erdhi nga Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të bllokut, pas zbulimit të qindra varreve në Izyum, një qytet i çliruar së fundmi nga trupat ukrainase.
Mes viktimave raportohet se ka shumë civilë, mes tyre gra dhe fëmijë.
“Të ndëshkohen të gjithë kriminelët e luftës”, tha ministri i jashtëm çek, Jan Lipavsky.
Ukraina preendon se në Izyum janë kryer krime lufte, ndërsa trupat po zhvarrosen nga varreza masive në një pyll në skaj të qytetit.
“Në shekullin e 21-të, sulme të tilla kundër popullatës civile janë të paimagjinueshme dhe të neveritshme. Ne nuk duhet ta anashkalojmë. Ne qëndrojmë për dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës. Bëj thirrje për ngritjen e shpejtë të një gjykate të posaçme ndërkombëtare që do ndjekë penalisht agresorët”, tha Lipavsky.
Zbulimi varreve erdhi në një kohë kur trupat ukrainase vazhdojnë kundër-ofensivës në verilindje të vendit, pasi rimorën me sukses disa territore të pushtuara nga Rusia ditët e fundit.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se kundërsulmimi i Ukrainës nuk do të ndryshonte planet ushtarake të Rusisë në lindje të Ukrainës.
Në fjalimin e tij mbrëmjen e së shtunës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se hetuesit kishin zbuluar prova të reja të torturës së përdorur kundër njerëzve të varrosur në Izyum, në rajonin e Kharkiv.
“Më shumë se 10 dhoma torture janë gjetur tashmë në zonat e çliruara të rajonit të Kharkiv, në qytete dhe qyteza të ndryshme”, tha Zelensky.
Ai tha se rusët do të duhet të përgjigjen “si në fushën e betejës ashtu edhe në sallat e gjyqit”.
Rusia pretendon se po lufton për denazifikimin e Ukrainës, në një konflikt që ajo ende i referohet si një “operacion ushtarak special” dhe jo si një luftë.