TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia britanike ka arrestuar një 28-vjeçar me dyshimin për vrasjen e ish-deputetes dhe ish-ministres konservatore Anne Widdecombe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në Haytor, në qarkun Devon.
Sipas Policisë së Devon dhe Cornwall, i dyshuari u arrestua të shtunën në mbrëmje në South Yorkshire dhe ndodhet në paraburgim. Në operacion morën pjesë edhe oficerë të Komandës Kundër Terrorizmit të Anglisë Verilindore dhe Policisë së South Yorkshire.
Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka prova që vrasja të ketë lidhje me terrorizmin ose të ketë pasur motive politike.
Anne Widdecombe, 78 vjeçe, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj të enjten me plagë të rënda. Hetuesit besojnë se ajo kishte ndërruar jetë rreth një ditë përpara se trupi i saj të zbulohej.
Ky është arrestimi i dytë në kuadër të hetimeve. Një 26-vjeçar u arrestua të premten, por më pas u lirua dhe nuk konsiderohet më i dyshuar për ngjarjen.
Anne Widdecombe ishte një nga figurat më të njohura të politikës britanike. Ajo shërbeu si deputete e Partisë Konservatore nga viti 1987 deri në vitin 2010 dhe mbajti poste ministrore në qeverinë konservatore. Më vonë iu bashkua Partisë Brexit të Nigel Farage, me të cilën u zgjodh eurodeputete në vitin 2019. Pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, ajo u bë zëdhënëse e Reform UK për çështjet e emigracionit.
Pas lajmit për vdekjen e saj, Nigel Farage i bëri homazhe ish-ministres, duke deklaruar se ajo “ia kushtoi jetën shërbimit publik”. Ngushëllime kanë shprehur edhe politikanë të tjerë nga i gjithë spektri politik britanik, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.