BOTA, 11 Korrik 2026, 11:32

Koreja e Veriut kritikon samitin e NATO-s: Çarmatimi bërthamor duhet të nisë nga aleatët e SHBA-së

Koreja e Veriut kritikon samitin e NATO-s: Çarmatimi bërthamor duhet

Koreja e Veriut kritikoi sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre, duke i akuzuar se po forcojnë aleancat ushtarake dhe po rrisin shpenzimet për armatim, pas samitit të NATO-s të mbajtur këtë javë në Turqi, sipas “Reuters”.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore KCNA, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha se, NATO po e paraqet ushtrimin e të drejtave sovrane të Phenianit si kërcënim, ndërsa vetë po nxit përballjen ushtarake përmes rritjes së bashkëpunimit me aleatët në rajonin Azi-Paqësor.

Pheniani e cilësoi NATO-n si një aleancë të orientuar drejt luftës dhe përballjes, duke pretenduar se ajo ndjek interesa ekskluzive gjeopolitike, në dëm të paqes dhe sigurisë në Evropë dhe Azi-Paqësor.

Koreja e Veriut deklaroi se çarmatimi bërthamor nuk duhet të nisë prej saj, por nga aleatët e SHBA-së, duke përmendur Korenë e Jugut, Japoninë dhe vendet e NATO-s, që marrin pjesë në marrëveshjet e ndarjes së armëve bërthamore.

Sipas deklaratës, Pheniani do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe sigurinë e tij përmes ushtrimit të “përgjegjshëm” të të drejtave sovrane.

Një ditë më parë, agjencia KCNA njoftoi se Koreja e Veriut, ka vendosur të forcojë forcat e saj bërthamore “si në aspektin sasior, ashtu edhe cilësor”, në përputhje me thirrjet e udhëheqësit Kim Jong Un për modernizimin e ushtrisë.