BOTA, 12 Qershor 2025, 11:24

Tragjike/ Avioni me 242 pasagjerë në bord dhe destinacion Londrën rrëzohet pranë aeroportit në Indi

Tragjike/ Avioni me 242 pasagjerë në bord dhe destinacion Londrën

Një avion me 242 pasagjerë në bord, është rrëzuar në një zonë të banuar pranë aeroportit në Ahmedabad të Indisë.

Avioni Boeing 787 Dreamliner i Air India, me destinacion Londrën, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel.

Pas aksidentit, një re e dendur tymi u pa duke dalë nga zona e aeroportit, ndërsa ekipet e emergjencës janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.

U shfaqën gjithashtu pamje të njerëzve që transportoheshin me barela në ambulanca. Por shifrat zyrtare të dëmeve dhe viktimave ende nuk janë zbuluar, teksa mjeti fluturues është përplasur pas objekteve të një zone të banuar dhe mund të ketë edhe viktima mes qytetarëve.

Uebsajti i gjurmimit të fluturimeve, Flight Radar, thotë në X: “Ne po ndjekim raportet për një rrëzim të fluturimit #AI171 të Air India. Ne morëm sinjalin e fundit nga avioni në orën 08:08:51 UTC, vetëm disa sekonda pas ngritjes.

Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, ka zhvilluar biseda urgjente me Kryeministrin e Gujarat-it, Ministrin e Brendshëm të shtetit dhe Komisionerin e Policisë, duke u informuar për situatën dhe duke garantuar ndihmë të menjëhershme nga qeveria qendrore.

Autoritetet janë duke hetuar shkakun e aksidentit, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e viktimave apo të lënduarve.

Sipas Air India, “Fluturimi AI171, që operonte Ahmedabad-Londër Gatwick, u përfshi në një incident sot, më 12 qershor 2025.” Kompania ajrore shtoi se në këtë moment po përcaktojnë detajet dhe do të ndajnë përditësime të mëtejshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Aeroplani u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Ahmedabadi me 242 persona në bord, të përbërë nga 2 pilotë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit të kabinës, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil, raportoi ANI.