TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një video e publikuar së fundmi tregon momentin tronditës kur Wendy Rush, bashkëshortja e Stockton Rush, CEO i kompanisë OceanGate, dëgjoi një zhurmë që besohet të ketë qenë momenti i shpërthimit të nëndetëses Titan, ndërsa ajo udhëtonte drejt rrënojave të Titanikut.
Në pamjet e publikuara nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara, Wendy Rush, e cila ndodhej në një anije mbështetëse mbi sipërfaqen e oqeanit, shihet duke u përpjekur të komunikojë me ekuipazhin e nëndetëses. Në një moment, dëgjohet një zhurmë e ngjashme me një derë që mbyllet me forcë, dhe ajo pyet: “Çfarë ishte ajo goditje?”
Disa minuta më vonë, ajo merr një mesazh në të cilin thuhet se nëndetësja kishte lëshuar dy pesha për të rregulluar zhytjen.
Në atë kohë, Rush, e cila shërbente edhe si drejtoreshë në OceanGate, mendoi se gjithçka po shkonte normalisht. Por hetuesit besojnë sot se ajo zhurmë mund të ketë qenë pikërisht momenti kur Titan pësoi shkatërrimin.
Sipas raportimit të BBC-së, mesazhi që ajo mori ishte dërguar para tragjedisë, por mbërriti me vonesë për shkak të ndërprerjes së shkaktuar nga zhurma.
Ngjarja tragjike ndodhi më 18 qershor 2023, kur pesë pasagjerët e nëndetëses humbën jetën.
Viktimat e kësaj tragjedie detare ishin: themeluesi i OceanGate, Stockton Rush, eksploruesi britanik Hamish Harding, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood së bashku me djalin e tij Suleman Dawood, dhe eksperti francez i zhytjeve Paul-Henri Nargeolet.
Të pesë ndodheshin në një mision eksplorues drejt rrënojave të Titanikut, që ndodhen në një thellësi prej rreth 3.700 metrash në Oqeanin Atlantik.
Vlerësohet se fatkeqësia ndodhi rreth 90 minuta pas nisjes së zbritjes, me mbetjet e Titanit që u zbuluan vetëm 300 metra larg vendndodhjes së Titanikut.
