BOTA, 3 Dhjetor 2022, 21:49

Vendosja e çmimit tavan për naftën ruse/ Zelensky kritika Perëndimit: Një masë e dobët ndaj Moskës!

Vendosja e çmimit tavan për naftën ruse/ Zelensky kritika

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kritikuar marrëveshjen e arritur nga Bashkimi Europian për vendosjen e një çmimi tavan prej 60 dollarësh për naftën ruse.

Ai e konsideroi këtë një masë të dobët dhe jo serioze ndaj akteve brutale të Rusisë.

“Rusia tashmë ka shkaktuar humbje të mëdha në të gjitha vendet e botës duke destabilizuar qëllimisht tregun e energjisë. Është vetëm çështje kohe kur do të duhet të përdoren mjete më të forta” – tha Zelensky në një videomesazh të publikuar në Telegram.

Çmimi tavan i miratuar një ditë më parë, synon të ndalojë shtetet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi naftë ruse të papërpunuar.

Pas këtij vendimi, reagoi Kremlini i cili tha se Rusia nuk do të pranojë kurrë një masë të tillë. Marrëveshja që do të hyjë në fuqi të hënën, intensifikon presionin perëndimor ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Por Zelensky e quajti kufirin e çmimeve “një pozicion të dobët” dhe jo mjaft “serioz” për të dëmtuar ekonominë ruse.