BOTA, 3 Gusht 2025, 20:06

"S'ka vend në të ardhmen e Gazës"/ Merz dhe Macron kundër Hamasit, reagojnë ashpër pas videove tronditëse të pengjeve izraelite

"S'ka vend në të ardhmen e Gazës"/ Merz dhe Macron

Franca dhe Gjermania kanë dënuar ashpër Hamasin, duke deklaruar se kjo organizatë nuk mund të ketë asnjë rol në të ardhmen e Rripit të Gazës, pas publikimit të videove tronditëse ku shfaqen pengje izraelite të dobësuar dhe të sfilitura fizikisht.

Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi në platformën X (ish-Twitter) duke përshkruar veprimet e Hamasit si një “egërsi e turpshme dhe çnjerëzore pa kufij”.

“Pamjet e padurueshme që tregojnë pengje izraelite të mbajtura në Gaza na kujtojnë me tmerr se çfarë përfaqëson Hamasi. Prioriteti absolut është lirimi i menjëhershëm i të gjithë pengjeve,” – shkroi Macron.

Ai përmendi me emocione Avyatar David, Rom Braslavski dhe të gjithë ata që janë ende në robëri prej më shumë se 660 ditësh, duke u shprehur se Franca do të vazhdojë pa pushim të punojë për lirimin e tyre të pakushtëzuar, një armëpushim të menjëhershëm dhe shpërndarjen masive të ndihmave humanitare, që aktualisht janë të bllokuara jashtë Gazës.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, në një intervistë për gazetën Bild, u shpreh i tronditur nga tre videot e publikuara nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik, ku shfaqen pengje të dobësuar rëndë – një prej të cilëve me shtetësi gjermane.

“Këto pamje dëshmojnë se Hamasi nuk mund të ketë më asnjë rol në të ardhmen e Gazës,” – tha Merz, duke shtuar se Izraeli nuk duhet të përgjigjet me të njëjtën brutalitet, por të vazhdojë dërgimin e ndihmave humanitare.

Megjithëse Gjermania ka qenë një mbështetëse e fortë e Izraelit për shkak të përgjegjësisë historike të Holokaustit, qeveria gjermane po mban një qëndrim gjithnjë e më kritik ndaj luftës në Gaza dhe situatës në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Franca dhe Gjermania kanë nisur hedhjen nga ajri të ndihmave në Gaza. Ushtria gjermane ka transportuar 14 ton ushqime dhe produkte mjekësore në dy fluturimet e para. Në të njëjtën kohë, Franca planifikon të dërgojë 40 ton ndihma në një zonë ku, sipas OKB-së, rreziku nga uria masive është real dhe i menjëhershëm.

Presidenti Macron, që në fund të korrikut njoftoi se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, theksoi nevojën për një zgjidhje politike.

“Zgjidhja që ne mbështesim është ajo e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, që do të jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe,” – tha Macron.

Por ai shtoi se kjo zgjidhje nuk përfshin Hamasin, duke kërkuar çmilitarizimin e plotë të organizatës, përjashtimin e saj nga çdo formë qeverisjeje dhe njohjen e Izraelit nga shteti i ardhshëm i Palestinës.