BOTA, 2 Gusht 2025, 19:59

Skandal në Ukrainë, autoritetet antikorrupsion zbulojnë mashtrimin me kontratat për blerjen e dronëve ushtarakë! Në hetim zyrtarë dhe deputetë

Skandal në Ukrainë, autoritetet antikorrupsion zbulojnë

Autoritetet ukrainase për luftën kundër korrupsionit, kanë zbuluar një skemë të gjerë mashtrimi që përfshin kontrata shtetërore për blerjen e dronëve ushtarakë dhe sistemeve të ndërhyrjes në sinjal, të cilat janë shitur me çmime të fryra artificialisht.

Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar në rrjetet sociale nga Byroja Kombëtare Antikorrupsion e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SAPO), në skandal janë të përfshirë një deputet aktiv i parlamentit, dy zyrtarë lokalë dhe disa anëtarë të Gardës Kombëtare, ndonëse emrat e tyre nuk janë bërë publikë. Deri më tani, katër persona janë arrestuar.

“Në thelb, skema përfshinte lidhjen e kontratave shtetërore me kompani të furnizimit, me çmime të fryra qëllimisht,” thuhet në deklaratë, ku theksohet se të përfshirët përfitonin komisione deri në 30% të vlerës së çdo kontrate.

Zbulimi i këtij skandali ndodh vetëm dy ditë pas votimit nga Parlamenti i Ukrainës të një ligji që rikthen pavarësinë e plotë të institucioneve antikorrupsion NABU dhe SAPO, një veprim që pason protesta masive të qytetarëve kundër një vendimi të mëparshëm që i vendoste këto institucione nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Presidenti Volodymyr Zelensky, i cili gëzon kompetenca të gjera për shkak të gjendjes së luftës, u përball me kritika të ashpra pas ndërhyrjes së tij në punën e institucioneve të pavarura, duke u detyruar të tërhiqet politikisht.

“E dëgjova zemërimin e popullit,” deklaroi ai, duke e dorëzuar vetë në parlament projektligjin që riktheu pavarësinë e NABU dhe SAPO, i cili u miratua të enjten.

Vendimi i ri u përshëndet menjëherë nga partnerët evropianë të Ukrainës. Zyrtarë të lartë të BE-së kishin paralajmëruar se ndërhyrjet në organet antikorrupsion mund të rrezikonin seriozisht rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pas një takimi të shtunën me drejtuesit e NABU dhe SAPO, të cilët e informuan për ecurinë e hetimeve, Zelensky përsëriti angazhimin e tij kundër korrupsionit.

“Është thelbësore që institucionet antikorrupsion të funksionojnë në mënyrë të pavarur. Ligji i ri u jep atyre të gjitha mundësitë për të luftuar realisht korrupsionin,” deklaroi presidenti.