BOTA, 27 Nëntor 2021, 18:55

Varianti "Omicron" në Angli, Boris Johnson njofton masat e para shtrënguese

Varianti "Omicron" në Angli, Boris Johnson njofton masat e para
Kryeministri Boris Johnson në Konferencë për Shtyp

Varianti i ri shqetësues i koronavirusit, i njohur si "Omicron", që është përhapur gjerësisht në Afrikën e Jugut dhe disa vende afrikane, tashmë ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë njoftuar dy raste.

Kryeministri Boris Johnson, ka dalë në një konferencë shtypi, për të njoftuar masat e qeverisë për të ndalur përhapjen e këtij varianti. 

Ai lajmëroi se pavarësisht se vaksinat e prodhuara deri tani, nuk përputhen në mënyrë perfekte me variantin e ri, gjithsesi ato ofrojnë një lloj mbrojtje, ndaj Komiteti i Vaksinimit dhe Imunizimit, do të vlerësojë nëse doza e tretë e vaksinës do t'ju jepet më shumë personave dhe më shpejt sesa ishte e parashikuar. 

Poll

Masat e njoftuara nga Johnson: 

1) Të gjithë personat që udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar do të bëjnë testin PCR në ditën e dytë të mbërritjes dhe do të duhet të izolohen derisa të marrin përgjigjen se rezultati është negativ. 

2) Të gjithë kontaktet e personave që janë të infektuar me variantin Omicron, do të duhet të izolohen për dhjetë ditë, pavarësisht statusit të tyre të vaksinimit. 

3) Maskat ose mbulesat e fytyrës, do të bëhen të detyrueshme në transportin publik dhe brenda dyqaneve. 

4) Komiteti i Vaksinimit dhe Imunizimit, do të konsiderojë vaksinimin e më shumë personave me dozën "booster" (doza e tretë) dhe gjithashtu reduktimin e kohës nga doza e dytë në të tretën. 

Kryeministri njoftoi se pas tre javësh masat do të rishikohen.