BOTA, 22 Gusht 2022, 22:45

Ukraina themelon grup diplomatik, Zelensky: Të forcojmë lidhjet me Evropën Lindore dhe vendet baltike

Ukraina themelon grup diplomatik, Zelensky: Të forcojmë lidhjet me

Ukraina ka filluar një iniciativë të re për të përforcuar lidhjet e saj me vendet e Evropës Lindore dhe Baltike, njoftoi të hënën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij.

“Sot u themelua një format i ri diplomatik dhe i sigurisë ‘Iniciativa e Kievit’. Fqinjët evropianë të Ukrainës tashmë po marrin pjesë në punën e saj. Këto janë Polonia, Hungaria, Rumania, Sllokavia dhe shtetet baltike. Do të përfshijmë gradualisht edhe vendet të tjera. Në formatin ‘Nisma e Kievit’, puna zhvillohet në nivel të këshilltarëve të politikës së jashtme të krerëve të shteteve”, tha Zelensky, shkruan CNN.

Presidenti ukrainas e përshkroi nismën si “një shenjë shumë premtuese të punës tonë në drejtimin euroatlantik”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve evropiane që të shtojnë një paketë të tetë sanksionesh kundër Rusisë, duke thënë se “Sa më gjatë të jetë intervali midis paketave të sanksioneve, aq më i madh është guximi i Rusisë”.

Në fjalimin e tij, Zelensky njoftoi gjithashtu se operacionet e kërkimit kanë përfunduar pas një sulmi rus kundër një ndërtese banimi në Kharkiv javën e kaluar.