TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Rusia po kërkon të tërheqë Ukrainën në negociata të reja për t’i dhënë kohë për të rivendosur kapacitetet e saj ushtarake dhe për të nisur një ofensivë të re. Kjo është ajo që ka pohuar një këshilltar i presidencës ukrainase pasditen e së hënës.
Për javë të tëra, Kremlini “është përpjekur të bindë Ukrainën që të angazhohet në negociata” për të “ngrirë konfliktin, duke ruajtur status quo-në aktuale në territoret e pushtuara ukrainase “, tha Mykhailo Podoliak për AFP.
Ai shtoi se Rusia është duke i përcjellë propozimet e saj duke përdorur ndërmjetës të ndryshëm, por pa i përmendur se cilët janë këta të fundit. Sipas Kievit, aktualisht nuk ka asnjë kontakt me Rusinë në nivel politik.
Presidenti turk Rexhep Erdogan, i cili u takua me homologun e tij rus në fillim të gushtit dhe më pas shkoi në Ukrainë të premten për herë të parë në gjashtë muaj, është shprehur vazhdimisht se është i gatshëm të ndërmjetësojë mes Kievit dhe Moskës.
Ukraina, megjithatë, beson se në realitet Moska “nuk dëshiron” negociata serioze paqeje, por vetëm një “pauzë operacionale” për ushtrinë e saj, në mënyrë që të mund të nisë më pas një ofensivë të re, komentoi Podoliak.
Kujtojmë se Kievi kundërshton çdo negociatë mbi territoret e pushtuara nga Rusia, të cilat shpreson t’i rimarrë. Kjo përfshin territoret nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore, si dhe gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në 2014.