BOTA, 13 Maj 2022, 22:21

Ukraina heton 41 ushtarë rusë për krime lufte ndaj popullit të saj

Ukraina heton 41 ushtarë rusë për krime lufte ndaj popullit

Oficerët e zbatimit të ligjit në Ukrainë po hetojnë 41 ushtarakë rusë të dyshuar se kanë kryer krime lufte në vend.

Prokurorja e Përgjithshme Iryna Venediktova tha se të dyshuarit do të hetohen për një sërë krimesh – nga bombardimi i infrastrukturës civile, vrasja e civilëve, përdhunimet dhe plaçkitjet, raporton agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.


Sipas saj, të dyshuarit do të përgjigjen përpara një gjykate ukrainase, shtoi ajo. Ndërsa tashmë një ushtar rus i akuzuar për vrasjen e një civili 62-vjeçar të paarmatosur doli para gjykatës në Kiev.

21 vjeçari Vadim Shishimarin, u soll në gjykatë për një seancë paraprake teksa do të përballet me burgim të përjetshëm për akuzat për krime lufte dhe vrasje me paramendim.

Gjatë një fjalimi televiziv të premten në mbrëmje, Venediktova tha se seancat dëgjimore paraprake për dy të dyshuar të tjerë do të kryhen javën e ardhshme.