BOTA, 6 Gusht 2025, 18:54

Trump zhvillon telefonatë me Zelenskyn pas takimit të Putinit me emisarin amerikan në Moskë

Trump zhvillon telefonatë me Zelenskyn pas takimit të Putinit me

Një bisedë telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky është zhvilluar pasditen e së mërkurës, vetëm pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin përfundoi takimin me të dërguarin special amerikan, Steve Witkoff, në Kremlin.

“Biseda mes dy liderëve vazhdon,” deklaroi një burim diplomatik për agjencinë Reuters, pa dhënë detaje të mëtejshme për përmbajtjen e saj.

Në të njëjtën kohë, pritet që administrata amerikane të lëshojë një deklaratë zyrtare gjatë ditës lidhur me vizitën e Witkoff në Moskë. Këtë e konfirmoi edhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një konference për shtyp në Uashington përpara takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq.

Rubio u pyet nga gazetarët nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë me planet për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas takimit të përfaqësuesit amerikan me Putinin.

“Emisari Witkoff sapo është kthyer në SHBA. Folëm me të para pak minutash. Do të kemi diskutime të tjera gjatë ditës. Deklaratat do të vijnë shumë shpejt – ndoshta të mira, ndoshta jo. Do të shohim,” – tha Rubio, pa sqaruar nëse është bërë ndonjë përparim konkret në bisedimet me Kremlinin.

Takimi në Moskë dhe telefonata e mëvonshme mes Trump dhe Zelenskyt janë zhvillime që po ndiqen nga afër nga diplomacia ndërkombëtare, në një moment kritik për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet SHBA–Rusi.