BOTA, 25 Gusht 2025, 16:48

Trump kritikon ashpër Korenë e Jugut: Nuk mund të bëjmë biznes në një vend që duket si në revolucion

Trump kritikon ashpër Korenë e Jugut: Nuk mund të bëjmë

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër situatën politike në Korenë e Jugut, duke hedhur dyshime mbi stabilitetin e vendit, vetëm pak orë para takimit të planifikuar me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, në Shtëpinë e Bardhë. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Bloomberg.

“ÇFARË PO NDODH NË KORENË E JUGUT? Duket si pastrim politik apo revolucion. Nuk mund të pranojmë këtë situatë dhe të bëjmë biznes atje”, shkroi Trump të hënën në platformën Truth Social, duke tensionuar atmosferën para samitit dypalësh.

Takimi mes dy liderëve vjen vetëm disa javë pasi dy vendet arritën një marrëveshje në momentin e fundit, e cila parashikon uljen e tarifave doganore për produktet amerikane të importuara në Korenë e Jugut në 15%. Me këtë lëvizje, Seuli shmangu një tarifë 25% të paralajmëruar më herët nga Trump. Megjithatë, zyrtarë amerikanë kanë shprehur pakënaqësi lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes, duke e cilësuar atë shumë të favorshme për palën koreane.

Para nisjes drejt Uashingtonit, presidenti koreano-jugor Lee Jae-myung paralajmëroi se takimi me Trump mund të jetë i tensionuar. Ai tha për gazetarët në bordin e avionit presidencial:

“Disa në Uashington besojnë se marrëveshja është shumë e favorshme për Korenë. Disa ministri kanë kërkuar ndryshimin e saj. Por ne nuk mund të pranojmë përpjekje të njëanshme për të rinegociuar diçka që është miratuar nga të dy presidentët”.

Në axhendën e takimit pritet të përfshihen edhe çështje të tjera të ndjeshme, si një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e cila fillimisht u përpoq të përfshihej në paktin tregtar.

Sakaq, zyrtarët amerikanë do të kërkojnë gjithashtu më shumë qartësi nga Seuli për investimin prej 350 miliardë dollarësh që Koreja e Jugut është zotuar të bëjë në SHBA në kuadër të marrëveshjes.