BOTA, 4 Mars 2025, 22:03

Trump kërcënon Trudeau-n pas shpalljes së tarifave reciproke: Dikush t’i shpjegojë guvernatorit të Kanadasë se kur ai vendos një tarifë hakmarrëse ndaj SHBA-së...

Trump kërcënon Trudeau-n pas shpalljes së tarifave reciproke:

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka vonuar të reagojë pas njoftimit të kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, i cili deklaroi se do të vendosë tarifa prej 25% për produktet amerikane.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump ka ironizuar vendimin e Kanadasë, duke i thënë kryeministrit Trudeau se për çdo tarifë hakmarrëse që vendos, tarifat amerikane do të rriten menjëherë me një shumë identike.

"Ju lutemi shpjegojani Guvernatorit Trudeau, të Kanadasë, se kur ai vendos një tarifë hakmarrëse ndaj SHBA-së, tarifa jonë reciproke do të rritet menjëherë me një shumë të ngjashme!", shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Termi “Guvernator” është përdorur shpesh nga Trump për Trudeau, një ironi që i referohet dëshirës së presidentit amerikan, që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së, një ide që Trudeau e ka refuzuar.

Kryeministri kanadez ka thënë se Kanadaja do të vazhdojë të veprojë në mbrojtje të interesave të saj kombëtare.