BOTA, 19 Gusht 2023, 19:01

Tërheqja e Sorosit nga Evropa, një dritë e fikur për të drejtat e njeriut

Tërheqja e Sorosit nga Evropa, një dritë e fikur për të

I mbijetoi pushtimit nazist të Hungarisë, vend dhe ku lindi.

Ngriti një pasuri në Wall Street dhe u bë një nga mbështetësit më të palëkundur të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në bllokun lindor.

Por aktivistët e të drejtave të njeriut dhe mediat e pavarura kanë frikë se trashëgimia e filantropit miliarder, George Soros, 93 vjeç, mund të zhbëhet.

Kjo pasi rrjeti i tij i donatorëve njoftoi se do të frenojë aktivitetet në të gjithë Bashkimin Evropian nga viti 2024.

Disa përfitues të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur të Soros-it (OSF), i kryesuar që nga fillimi i këtij viti nga djali i tij Alex, i thanë “Observer-it” se do të kishin probleme pa mbështetjen e tij.

“Kur Fondacioni i Shoqërisë së Hapur u largua nga Budapesti nën presion të ashpër politik në 2018, ata thanë se do të humbnin praninë e tyre fizike, por jo fokusin e tyre në rajon”, tha Marta Pardavi, bashkëkryetare e Komitetit Hungarez të Helsinkit, një OJQ për të drejtat e njeriut në Budapest mbështetur nga fondacionet.

“A ka pasur me të vërtetë një ndryshim kaq pozitiv në Evropë gjatë pesë viteve të fundit sa që ai premtim është bërë më pak i rëndësishëm?”

Në një email të korrikut drejtuar stafit, menaxhmenti i OSF-së njoftoi një “riformim radikal për të na ndihmuar të ofrojmë më efektivisht misionin tonë”.

“Përfundimisht, drejtimi i ri strategjik i miratuar parashikon tërheqjen dhe përfundimin e një pjese të madhe të punës sonë aktuale brenda Bashkimit Evropian, duke zhvendosur fokusin tonë dhe shpërndarjen e burimeve në pjesë të tjera të botës”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa 40% e stafit global të bamirësisë do të pushohen nga puna, shkurtimet do të jenë më të rënda në Evropë, me 180 punonjës në selinë e saj në Berlin të shkurtuar me 80%.

Stafi i mbetur në kryeqytetin gjerman do të administrojë kryesisht fondet e fondacionit në Zvicër.

Zyrat në Bruksel do të pakësohen, ndërsa një degë në Barcelonë do të mbyllet deri në fund të vitit.

Nga shtatë degë të dikurshme në zonën post-sovjetike, vetëm tre kanë mbetur në Kirgistan, Ukrainë dhe Moldavi.

Soros emigroi në Britani në vitin 1947 dhe më vonë në SHBA.

Si një manjat i fondeve mbrojtëse, ai u bë i njohur si “njeriu që theu Bankën e Anglisë” në 1992 pasi fitoi 1 miliard dollarë bast kundrejt funtit.

Në vitin 1984, Soros nisi të kanalizonte pasurinë e tij në themele që avancuan idenë e “shoqërisë së hapur”, me fokus fillestar në Hungari dhe shoqëri të tjera totalitare në sferën e ndikimit sovjetik.

Shumë OJQ evropiane, grupe hulumtuese dhe kërkimore që punojnë në çështje që variojnë nga liria e medias dhe të drejtat e emigrantëve te mbikëqyrja shtetërore dhe rregullimi digjital mbështeten te fondacionet, të cilat shpenzuan 1.5 miliardë dollarë për kauza filantropike në 2021.

Ndërsa mediat tradicionale evropiane kanë luftuar për të përmbushur rolin e tyre mes një rënie të të ardhurave nga reklamat, OSF-ja ka ndërhyrë për të mbështetur projektet e pavarura të lajmeve.

Duke përfshirë Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), Byrosë së Gazetarisë Hulumtuese me qendër në Londër dhe “Forbidden Stories”, një platformë e koduar në internet që lejon gazetarët e kërcënuar të ngarkojnë në mënyrë të sigurt punën e tyre.

Fondet e mbështetura nga Soros-i u rritën kur institucionet e pavarura të medias ishin nën kërcënimin e marrjes nga shteti – duke blerë aksionet prej 11.2% të “Wyborcza” pasi partia Qeverisëse e Polonisë “PiS” nisi procedurat ligjore kundër gazetës së qendrës së majtë dhe urdhëroi kompanitë shtetërore të anulojnë reklamat e tyre.

“The Guardian” gjithashtu merr fonde të OSF-së për projekte specifike raportuese.

Por, ndërsa ndikimi i OSF-së është rritur, po ashtu është rritur edhe struktura e tyre e ngathët burokratike.

Nën udhëheqjen e Alex Soros, 37 vjeç, i zgjedhur për të marrë përsipër drejtimin nga babai i tij George dhjetorin e kaluar, fondacionet duan të zhvendosin fokusin e tyre në grantet e “organizuara rreth mundësive specifike për ndikim”.

Alex Soros, i cili u rrit dhe u arsimua në SHBA, tha se “Fondacionet e Shoqërisë së Hapur po ndryshojnë mënyrën se si ne punojmë, por familja ime dhe OSF-ja kanë mbështetur prej kohësh dhe mbeten të përkushtuar ndaj projektit evropian”.

Sipas tij OSF-ja do të vazhdojë mbështetjen për komunitetet rome evropiane.

Megjithatë, ndërsa një ndryshim i thellë në strukturën e organizatës është sinjalizuar prej kohësh nga drejtuesi i Soros, vendimi për ta arritur këtë nëpërmjet reduktimit drastik të numrit të punonjësve duket se ka qenë një prioritet i bordit të ri të drejtorëve.

Dikur i referuar me shaka nga punonjësit si “grupi i leximit” i Soros, bordi është zvogëluar në një njësi më të ngushtë të dominuar nga anëtarët e familjes që kur stafeta iu kalua Soros Junior.

Në një intervistë me “Wall Street Journal”, Alex Soros tha se ndërsa ndante vlerat e babait të tij, ai ishte “më politik”.

Stafi dhe përfituesit e granteve thanë se ata kanë mbetur të hamendësojnë se çfarë do të thotë kjo për organizatën.

Mbetet të shihet llogaria e tij në Instagram, e cila e tregon atë me Papën, Bill Clinton-in, Kamala Harris ose “vëllain e tij nga një nënë tjetër”, Edi Rama, kryeministrin e Shqipërisë.

“Unë po e injoroj atë llogari për hir të mendjes sime”, tha një zyrtar i fondacionit, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Ndërsa përfituesit e granteve të Evropës Perëndimore, si Byroja e Gazetarisë Hulumtuese, janë mësuar të manipulojnë donatorët sipas projektit, organizatat në Evropën Lindore kanë më pak opsione.

OJQ-të që punojnë në fusha ku të drejtat e njeriut dhe teknologjia mbivendosen, siç është mbikëqyrja digjitale, nuk mund të mbështeten në financimin e qeverive që mund të kenë një konflikt interesi.

“OSF është një nga organet e pakta që jep fonde bazë të pakufizuara”, tha një përfitues i grantit, i cili kërkoi të mbetet anonim mes pasigurisë mbi strategjinë e ardhshme të fondacionit.

“Është ajo që e mban dritën ndezur për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Evropë”.

Berlini ka qenë qendra e operacioneve evropiane të fondacioneve pas mbylljes së degës së Budapestit në vitin 2018 nën presionin e qeverisë së Viktor Orban, dikur një marrës i mbështetjes së Soros.

Javën e kaluar, drejtori politik i kryeministrit hungarez, Balazs Orban, postoi një mesazh në median sociale X, e njohur më parë si Twitter, në të cilin ai e quajti Fondacionin e Shoqërisë së Hapur “perandoria Soros”.

“Ne besojmë me të vërtetë se trupat okupuese po largohen nga kontinenti atëherë kur ushtari i fundit i Soros të jetë larguar nga Evropa dhe Hungaria”.

“Nëse investoni në demokraci, nuk mund të prisni kurrë që ajo të sjellë fitime të shpejta”, tha Marta Pardavi.

“Nevoja për ndërtimin e demokracisë nuk zhduket kurrë. Dhe unë mendoj se George Soros e dinte këtë”.