BOTA, 5 Gusht 2025, 20:15

Skandali me diplomat e falsifikuara në Spanjë/ Politikanët në alarm, korrigjojnë me nxitim CV-të pas dorëheqjes së deputetes. Kush është 33-vjeçarja që solli "efektin domino"

Skandali me diplomat e falsifikuara në Spanjë/ Politikanët

Politikanët spanjollë janë vënë në alarm pas zbulimit të një rasti falsifikimi të diplomës nga një politikane e Partisë Popullore konservatore.

E gjitha filloi me Noelia Núñez, 33 vjeç, një figurë në ngritje e Partisë Popullore (PP), e cila pranoi se nuk i kishte përfunduar studimet e saj në Drejtësi dhe Administratë Publike, ndonëse kështu kishte deklaruar në biografinë e saj zyrtare.

Pas kësaj Núñez kërkoi falje publike dhe dha dorëheqjen, duke hapur një “efekt domino” në skenën politike spanjolle, raporton The Guardian.

Noelia Núnez shërbeu si deputete në Kongresin e Deputetëve të Spanjës për Partinë Popullore (PP) nga 17 gushti 2023 deri në dorëheqjen e saj më 23 korrik 2025.

Raste të tjera të zbuluara

Ana Miján, zyrtare e lartë në qeverinë rajonale të Madridit, ul titullin e saj nga një diplomë në Shkenca Politike në një diplomë më të thjeshtë në Administratë Publike, pas raportimit të gabimeve në CV.

Ignacio Higuera (Vox), në Extremadura, deklaronte se kishte diplomë në marketing nga një departament universitar që nuk ekzistonte në kohën e supozuar të studimeve. Ai dha dorëheqjen.

Pedro Rojan, president i Senatit (PP), u detyrua të hiqte nga CV-ja një diplomë dhe një master në marketing pas investigimit të një emisioni televiziv, i cili zbuloi se institucioni nuk ofronte diploma të tilla.

José María Ángel (Partia Socialiste), përgjegjës për menaxhimin e emergjencave në Valencia, dha dorëheqjen pas akuzave për falsifikim diplome për të fituar një post publik.

Krizë besueshmërie

Skandali ka ngritur shqetësime të mëdha mbi etikën dhe transparencën në politikën spanjolle, ndërsa mediat dhe publiku kërkojnë më shumë përgjegjësi nga zyrtarët e zgjedhur.

Partitë politike janë duke bërë thirrje për auditim të brendshëm të deklaratave zyrtare të kandidatëve dhe anëtarëve aktualë.

“Nuk është vetëm çështje morale, por edhe çështje ligjshmërie dhe përgjegjësie publike,” – ka deklaruar një zëdhënës nga Partia Socialiste.