AKTUALITET, 6 Gusht 2022, 22:29

Shqiptari thyen arrestin e shtëpisë, i vë zjarrin firmës së tekstileve, “merr në qafë” edhe mikun e tij

Shqiptari thyen arrestin e shtëpisë,  i vë zjarrin firmës

Dy shqiptarë kanë përfunduar në pranga e policisë Italiane, pasi nga hetimet rezulton se i kanë vënë flakën qëllimisht kompanisë Mitumbatex. Sipas mediave italiane, një nga shqiptarët madje kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për të shkuar dhe për t’i vënë zjarrin kompanisë që ndodhet në Via Ombrone, në Montemurlo.

Zjarri shkatërrimtar shpërtheu në orët e vona të mbrëmjes së 17 janarit të kaluar brenda ndërmarrjes që prodhon tekstile me lëndë të parë të përftuar nga riciklimi i veshjeve të përdorura.

Ndërkohë, personi tjetër që ka përfunduar pas hekurave është bashkëpunëtor në këtë operacion, pasi ka luajtur rolin e “shoferit”, duke e shoqëruar gjatë gjithë kohës bashkëkombësin e tij.

Për të arritur te dy shqiptarët, të lindur në 1977 dhe 1975, karabinierët e Tenenza di Montemurlo, rindërtuan dinamikën e zjarrit, i cili duke pasur parasysh përmasat e tij kishte kërkuar ndërhyrjen e tre autocisternëve dhe dy ekipeve plus kamionin me shkallë të zjarrfikësve të provincës së Pratos.

Nga analiza e pamjeve video të regjistruara nga sistemi i mbikëqyrjes të kompanisë dhe nga ndërhyrja e parë e zjarrfikësive u kuptua menjëherë origjina e qëllimshme e zjarrit, e dukshme nga një kolonë e lartë tymi e nxjerrë nga flakët.

U deshën disa muaj, por në fund hetuesit arritën të gjurmojnë dy shqiptarët dhe i arrestuan nën akuzën e zjarrvënies.

Hetuesit ende nuk e kanë të qartë motivin që ka shtyrë dy autorët e dyshuar të vënë zjarrin.