BOTA, 5 Tetor 2023, 18:50

Rusia sulmon sërish Ukrainën, raportohet për mbi 50 të vrarë

Rusia sulmon sërish Ukrainën, raportohet për mbi 50 të

Të paktën 50 vetë humbën jetën të enjten nga një sulm rus në një fshat në rajonin e Kharkivit të Ukrainës verilindore, thanë zyrtarët ukrainas. Mes tyre ishte edhe një djalë 6 vjeçar.

Guvernatori i rajonit të Kharkivit, Oleh Synehubov tha se një kafene dhe një dyqan ishin sulmuar në fshatin Hroza, në një kohë kur aty kishte civilë të shumtë. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse forcat ruse kishin sulmuar me raketë, apo bombarduar.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili po merr pjesë në një takim të nivelit të lartë me udhëheqës evropianë në Granadë të Spanjës, tha se "terrori rus duhet të ndalet".

Ai u tha më shumë se 40 udhëheqësve në takim se ishte i sigurt për mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës dhe kërkoi ndihmën e tyre të vazhdueshme dhe armë shtesë për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

Zoti Zelenskiy tha se presidenti Vladimir Putin nuk duhet të lejohet të forcojë ushtrinë e tij, ose përndryshe në vitet e ardhshme Rusia mund të sulmojë edhe përtej Ukrainës.
"Le të kthehen ambiciet e Putinit në gërmadha, jo vendet tona, jo qytetet tona.

Fëmijët e çdo vendi meritojnë të jenë të sigurt. Në gjithë vendin, jo vetëm në metro, jo vetëm në strehime nëntokësore, por kudo. Ne duhet t'ia dalim. Ne duhet të garantojmë fitoren e Ukrainës."